Kuvendi s’pranoi mocionin për masakrën e Srebrenicës, Berisha: U depozitua brenda afateve kohore! Akti i maxhorancës, antikombëtar

Politikë | 4 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur kreut të qeverisë, Edi Rama, i cili e konsideroi ‘lojë të ulët’ propozimin e Berishës në Kuvend për të futur në rendin e ditës një mocion për të dënuar masakrën e Srebrenicës. Me një postim në Facebook, Berisha thotë se kërkesa e tij u depozitua brenda afateve kohore dhe se deputetët socialistë kishin kohë për shqyrtimin e saj.

“Lidhur me deklaratën e Edi Ramës për refuzimin nga ana e tij dhe pseudomazhorances së tij të rezolutës për dënimin e genocidit serb në Bosnje, sqaroj sa vijon:  Pretendimi i Edi Ramës se paraqitja e rezoluës ishte e papritur është një gënjeshtër e denjë vetëm për atë. Rezoluta për dënimin e genocidit në Bosnje është depozituar sipas te gjitha afateve kohore që përcakton rregullorja e Parlamentit, është shqyrtuar në kryesinë e parlamentit dhe është vendosur t’i paraqitej sot seancës plenare. Përfaqësuesit e PS, shumicë në kryesinë e Parlamentit kanë refuzuar në kryesi dhe kanë votuar me ndërgjegje të nxirë kundër rezolutës”, shkruan Berisha.

Votimin kundër të maxhorancës, Berisha e konsideron si akt antikombëtar, që sipas tij erdhi me urdhër të Presidentit serb, Alekasandër Vuçiç.

“Kështu Edi Rama dhe grupi i tij parlamentar kanë patur të gjithë kohën e mjaftueshme që parashikon rregullorja e parlamentit për shqyrtimin e kësaj rezolute, por kanë vendosur në një akt çnjerëzor dhe antikombëtar që të votojnë kundër saj me urdhër të Aleksandër Vuçiç. Kjo rezolutë është miratuar në Parlamentin Europian, Kongresin e SHBA. Shtojmë këtu se më parë Edi Rama dhe grupi i tij parlamentar kanë votuar me vetëdije të plotë kundër debatit me mocion për Ballkanin e Hapur dhe rezolutës së grupit parlamentar të PD për dënimin e genocidit rus ne Ukrainë”, thotë Berisha.

Kuvendi nuk pranoi futjen në rendin e ditës për votim të një rezolute të propozuar nga Berisha, për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës, ndërsa Partia Socialiste deklaroi prerë se nuk do të pranojnë asnjë propozim të një personi të shpallur ‘non grata’ nga SHBA.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme