Lamallari: Kosova shtet i pavarur, shqiptarët atje nuk janë emigrantë. Patriotizmi nuk duhet të kthehet në spektakël

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, në një reagim në rrjetet sociale, ka komentuar mënyrën se si disa qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut udhëtojnë drejt Shqipërisë me simbole kombëtare, duke theksuar se sipas tij nuk mund të trajtohen si diasporë apo mërgatë.
Lamallari thekson gjithashtu se patriotizmi duhet të shprehet pa “skena teatrale”, duke komentuar përdorimin e flamujve dhe simboleve gjatë udhëtimeve drejt Shqipërisë. Në fund të reagimit, ai shton se institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës kanë bashkëpunuar ndër vite për siguri, rend dhe stabilitet në rajon.
“Me targa KS dhe MK, futen në Republikën e Shqipërisë kinse janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit, me plis në kokë e këngë patriotike në sfond, flamurin kuq e zi apo atë të UÇK-së në njërën dorë dhe timonin në tjetrën, ngjashëm me një skenar filmash ku mungojnë vetëm shpatat, kuajt e heroi legjendar!
Djema, mund të mbani plis e xhamadan po të doni por së paku kuptoni se fjalët mërgatë apo diasporë andej dhe këtej kufirit kanë të njëjtin kuptim dhe se kthimi në vendlindje nga dheu i huaj nuk ka të bëjë fare me xhiron tuaj nga Prishtina a Tetova në Tiranë.
Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut një faktor shtetformues.
Prandaj, flamurin e UÇK-së kur ta valëvisni para Kryeministrisë, kujtoni se ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit.
Shumë mirë që valëvisni dhe flamurin kombëtar, por mbani mend se trimat e vërtetë luftuan pushtuesin e huaj dhe jo vllai-vallin.
Jeni të mirëpritur kurdoherë në Shqipëri, sidomos me këngët patriotike në sfond të automjeteve tuaja luksoze, por ama kursejini vetes refrenin e dobët të ‘emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje’.
P.S: Secili e shpreh patriotizmin sipas mënyrës së vet, por jam krenar që pa bujë e fanfarë, së bashku me kolegët e mi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, ndër vite kemi kontribuar për më shumë siguri e rend për vendet tona, qytetarët e 🇦🇱 dhe 🇽🇰 duke ofruar kështu më shumë paqe e qëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shkruan ministri.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



