Lamallari largohet nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme, zëvendësohet nga Ervin Demo

Politikë | 2 muaj më parë

Besfort Lamallari largohet nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme. Gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani bën me dije se Lamallari do të zëvendësohet në këtë detyrë  nga Ervin Demo. Deri më tani, Demo ka mbajtur postin e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.

Lamallari mori drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në mars të këtij viti, duke zëvendësuar në këtë detyrë Albana Koçiun, ndërsa më parë ishte ministër Drejtësie.

Largimi i Lamallarit vjen vetëm nëntë ditë pas dorëheqjes së Evis Salës nga posti i Ministres së Shëndetësisë. Në krye të kësaj Ministrie u emërua Klodiana Spahiu, e cila u betua këtë të premte para Presidentit Bajram Begaj, duke marrë zyrtarisht  detyrën e re.

Kush është Ervin Demo:

Ervin Demo, i lindur në Berat, në vitin 1982, mori detyrën e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor në shtator të viti 2025.

Para këtij emërimi, Demo ka shërbyer si Kryetar i Bashkisë së Beratit (2019–2025), ku u angazhua në përmirësimin e shërbimeve publike, zhvillimin dhe transformimin urban të qytetit, forcimin e transparencës, nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje, si dhe zhvillimin e turizmit.

Më herët, gjatë 2017–2018, ai ka mbajtur detyrën e Zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa në periudhën 2012–2016 ka qenë Zëvendësrektor i Universitetit të Tiranës.

Karriera e tij është e lidhur ngushtë me arsimin e lartë. Që prej vitit 2004, ai është pedagog me kohë të plotë pranë Departamentit të Menaxhimit, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.

Demo ka kryer studimet e larta në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka përfunduar ciklin Bachelor dhe Master. Më pas, ka ndjekur studime postdoktorale në Universitetin e Bolonjës, Itali, duke u specializuar në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit akademik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme