Lamallari: Policia i shërben shtetit, jo politikës – Balliu: Drejtori i ri i Policisë është produkt i marrëveshjeve politike
Gjatë seancës plenare në Kuvend, zgjedhja e Skënder Hitës si Drejtor i Policisë së Shtetit u shoqërua me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, iu përgjigj akuzave të Partisë Demokratike, duke mbrojtur figurën e drejtuesit të ri të policisë.
“Për fatin e keq, kushdo që do të vinte duhet të merrte parasysh akuzat dhe baltën e opozitës. Policia është e shtetit shqiptar dhe i duhet dhënë mbështetje. Zoti Hita është oficer karriere, ka qenë drejtues në disa qarqe, ku ka spikatur për profesionalizëm, integritet dhe përkushtim. Jam i lumtur që ka spikatur roli i tij. Turpi qoftë mbi ju, në seancën e radhës do merrni përgjigje,” tha Lamallari.
Ai akuzoi opozitën se po dëmton imazhin e Shqipërisë me retorikën e saj, duke shtuar se “Sot u emërua Skënder Hita dhe në ditën e parë, opozita nisi baltën ndaj tij. Ata harrojnë se Hita nuk i shërben as mazhorancës dhe as opozitës, por shtetit shqiptar. Opozita ka mision vetëm të hedhë baltë dhe të bëjë dhunën si instrument politik. Këto akuza i bëjnë dëm Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, pasi jemi në fazë kritike për integrimin.”
Nga ana tjetër, deputeti i PD-së Klevis Balliu reagoi ashpër, duke e cilësuar zgjedhjen e Hitës si produkt të marrëveshjeve politike.
“Integrimi u bë kurban. E dinim se Skënder Hita do bëhej drejtor i Policisë. Emërimi është bërë për interesa të politikanëve dhe do të vijojë inkriminimi i policisë,” tha Balliu.
Ai akuzoi ministrin Lamallari se nuk ka autoritet real duke u shprehur “Unë e dija para tre ditësh se kush zgjidhet drejtor policie. Ti mban një karrige se nuk di nga lidhet gomari. Ti nuk flet dot, sepse ti vepron me butona. Ti duhet të rrish të mbyllësh gojën dhe të dëgjosh,” u shpreh Balliu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




