Lamtumira për Nishanin, Berisha shpërthen në lot gjatë fjalimit: Po të përcjell me dhimbje të madhe

Politikë | 4 vite më parë

Lamtumira e fundit ish presidentit Bujar Nishani i është dhënë edhe nga Sali Berisha, një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Në ceremoninë e bërë në varrezat e Sharrës ku trupi i ish presidentit do të prehet, Berisha tha se Nishani ishte një burim i pashtershëm frymëzimi, por fjalimi i tij mbeti përgjysmë pasi e kanë mposhtur lotët për humbjen e mikut të tij.

“Jemi këtu rreth teje të përcjellim me dhimbje të madhe në udhëtimin tënd të përjetshëm të parakohshëm që nis pasi ke ngjitur si rrallëkush shkallët e jetës dhe të detyrës. Megjithëse largohesh nga ne përgjithmonë, për sa kohë ne do jetojmë d mbetesh i gjallë me veprat, fisnikërinë, përkushtimin, shërbimet e çmuara ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Me ne mbetet dhe do jetojë gjithmonë Bujar Nishani, njeriu i dashur, atdhetar, shërbëtor i përkushtuar i qytetarëve, demokrat i flakët dhe guximtar, burrështetas fisnik. Sot këtu para teje ne jemi më të paktë në vete. Odeta ndihet sot më e paktë, më e trishtë se kurrë në jetën e saj për bashkëshortin fisnik që u largua para kohe. Për Ersin, Fjonën sot është dita më e dhimbshme e jetës së tyre, por ata do jenë krenarë që patën fatin të kenë një baba si ti. Për Baba Faikun sot zija është më e rëndë se toka, por ai përsëri ndihet krenar se rriti një djalë si ti që i zbardhi faqen. Për të gjithë ne të tjerët që patëm mundësi të njohim e bashkëpunojmë, do mbetesh një burim i pashtershëm frymëzimi dhe do kesh përgjithmonë mirënjohjen. Dua të shpreh mirënjohje të thellë për familjen tënde dhe për ata që bën gjithçka që ti të mos niseshe në këtë rrugë. U prehtë në paqe miku im i dashur, i lehtë qoftë dheu i tokës sonë, lamtumirë!”, tha Berisha.

Bujar Nishani u përcoll me ceremoni zyrtare nga Presidenca ku u mbajtën edhe homazhet në nder të tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme