Lara Kolturi, e para në botë

Sporte të tjera | 3 vite më parë

E marta ka qenë një mbrëmje për t’u mbajtur mend, teksa skiatorja kuqezi, Lara Kolturi, ka shënuar një tjetër kulm të karrierës së saj të re. 17-vjeçarja italiane që përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në stacionin e radhës të Kupës së Botës në ski.

Stacioni i radhës ka qenë Flachau në Austri, aty ku skiatorja e re ka arritur një rezultat historik. Edhe pse në zbritjen e parë të garës së sllallomit ajo u nis e 60-ta, ia doli të regjistronte kohën e 25-të, duke bërë që në zbritjen e dytë të nisej e 6-ta. Dhe kjo zbritje e dytë ka qenë e jashtëzakonshme për skiatoren kuqezi, e cila ka regjistruar kohën më të shpejtë, 56 sekonda e 4 të qindtat, duke marrë kështu vendin e parë në këtë zbritje.

Ky rezultat ka bërë që në përfundim të dy zbritjeve, ajo të renditet në vendin e 9-të, një arritje kjo historike për 17-vjeçaren premtuese, që ngjitet kështu në 10-shen e parë të botës. Duke folur pas garës, ajo nuk e ka fshehur kënaqësinë.

“Jam super e kënaqur me këtë mbrëmje, jam shumë e kënaqur me zbritjen e dytë dhe që e mbylla gjithçka mirë. E lumtur që gjeta ndjesinë e duhur për garën. Në zbritjen e parë shtyva sa munda, edhe pse duke u nisur e 60-ta, nuk është aspak e lehtë, por dhashë maksimumin. Në të dytën u nisa më mirë dhe u mundova të përfitoj sa më tepër dhe erdhi dhe koha që dëshiroja. Jam super e lumtur dhe tashmë shkojmë në garën e radhës”, ka thënë Lara Kolturi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme