Largohet Shefi i Shtabit i Ushtrisë së SHBA – Randy George lë postin e gjeneralit më të lartë, e merr zëvendësi i tij

Amerikë | 6 muaj më parë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth i kërkoi Shefit të Shtabit të Ushtrisë Randy George, të japë dorëheqjen nga posti i tij raportoi CBS News. Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell bëri me dije tërheqja e George nga posti i Shefit të 41-të të Shtabit të Ushtrisë ka efet të menjëhershëm. “Departamenti i Luftës është mirënjohës për shërbimin e gjeneralit George ndaj kombit tonë për dekada.”- u shpreh ai. 

Shefi i Ushtrisë në SHBA shërben për një mandat katërvjeçar dhe George, një oficer ushtarak karriere i diplomuar në akademinë ushtarake West Point, u nominua për atë detyrë në vitin 2023 nga presidenti i asaj kohe Joe Biden. Ai shërbeu si oficer këmbësorie në Luftën e parë të Gjirit dhe në konfliktet e fundit në Irak dhe Afganistan. “Jemi mirënjohës për shërbimin e tij, por ishte koha për një ndryshim lidershipi në Ushtri”- tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes për CBS.

Mbetet e paqartë nëse riorganizimi i fundit në drejtimin e ushtrisë amerikane ka lidhje me luftë në Iran, por vjen pasi presidenti Trump tha në një fjalim drejtuar kombit se lufta amerikano-izraelite ndaj Iranit pritet të përfundojë shumë shpejt. Sipas mediave amerikane, Randy George do të zëvendësohet nga Zëvendësshefi i Shtabit të Ushtrisë, Gjenerali Christopher LaNeve, i cili do të bëhet shefi i përkohshëm i shtabit të ushtrisë amerikane.

Zëdhënësi i Penatagonit tha se LaNeve është një udhëheqës i sprovuar në beteja me dekada përvojë operative. Që nga marrja e drejtimit të Pentagonit, Sekretari Hegseth ka shkarkuar shumë oficerësh të lartë ushtarakë, përfshirë Shefin e Operacioneve Detare dhe zëvendësshefin e Shtabit të Forcave Ajrore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme