Liderët e 7 vendeve afrikane takohen me Putin, kërkojnë dhënien fund të luftës në Ukrainë

Botë | 3 vite më parë

Luftës në Ukrainë duhet t’i jepet fund. Kështu raportohet t’i ketë thënë presidenti i Afrikës së jugut Cyril Ramaphosa homologut të tij rus Vladimir Putin gjatë një takimi që ky i fundit zhvilloi në Shën Petërsburg me krerët e shtatë vendeve afrikane.

Në takimin në Shën Petersburg, Ramafoza gjithashtu iu bëri thirrje dy palëve të kthenin robërit e luftës, dhe se fëmijët ukrainas të marrë nga Rusia duhet të ktheheshin në shtëpitë e tyre. 

Putin është akuzuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në lidhje me marrjen me forcë të qindra fëmijëve ukrainas nga familjet e tyre gjatë pushtimit rus të Ukrainës.

Ndërsa delegacioni afrikan bëri thirrje për kthimin e fëmijëve në gjirin e familjeve të tyre, Putin i ndërpreu duke pretenduar se Rusia po i mbronte.

“Fëmijët janë të shenjtë. I kemi hequr nga zona e konfliktit duke iu shpëtuar jetët dhe shëndetin”, theskoi ai.

OKB ndërkohë është shprehur se kanë prova për transferimin e paligjshëm të qindra fëmijëve ukrainas në Rusi.

 Zoti Ramafoza gjithashtu paralajmëroi Putin për ndikimin që lufta në Ukrainë ka në Afrikë dhe theksoi se ajo duhej të zgjidhej përmes diplomacisë.

“Lufta nuk mund të vijojnë përgjithmonë. Të gjitha luftrave duhet t’u vijë fundi dikur. Jemi këtu për t’ju dhënë një mesazh shumë të qartë se do të donim që kjo luftë të përfundojë, tha Ramafoza.

Lufta në Ukrainë ka kufizuar ndejshëm eksportet e drithërave nga Ukraina dhe plehrave kimikë dhe organikë nga Rusia, çka ka prekur veçanërisht vendet afrikane dhe ka intensifikuar pasigurinë ushqimore në botë. 

Po për krizën e dridhërave, Putin fajësoi Perëndimin dhe kjo luftën në Ukrainë, duke thënë se vetëm 3 përqind e importeve të drithërave të lejuara sipas një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB kishin shkuar tek vendet më të varfëra.

Të premten liderët e 7 vendeve afrikane u takuan edhe me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, i cili u shpreh se nuk do të mbante bisedime me Rusinë ndërsa ata mbanin nën pushtim tokën e vendit të tij. 

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme