Liga e Kombeve/ Kuqezinjtë mbyllin përgatitjet për ndeshjen me San Marinon, Simoni kalon te Shpresat

Kombëtarja | 2 orë më parë

Kombëtarja shqiptare ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve ndaj San Marinos, që do të luhet nesër në orën 20:45, në “San Marino Stadium”. Paraditen e sotme, në “Shtëpinë e Futbollit”, ekipi kuqezi zhvilloi seancën e fundit stërvitore nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran, duke u fokusuar te përgatitjet fizike dhe aspektet taktike të ndeshjes.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se grupi është në gjendje të mirë dhe pa probleme fizike. Ashtu si në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, i vetmi lojtar që nuk do të jetë në dispozicion është Klisman Cake, i cili vijon rikuperimin. Gjendja e tij po përmirësohet dhe, sipas parashikimeve, pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Finlandës.

Me ekipin Kombëtar nuk do të udhëtojë portieri Simon Simoni, i cili do t’i bashkohet Kombëtares U-21, që ka nisur grumbullimin në Tiranë në kuadër të ndeshjes miqësore ndaj Ukrainës U-21.

Kombëtarja do të udhëtojë pasditen e sotme drejt San Marinos. Në orën 19:00, do të zhvillohet edhe konferenca zyrtare për shtyp e trajnerit Rolando Maran dhe një lojtari të Kombëtares.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme