Liga Unike: Goga Basket dhe Golden Eagle Ylli, në gjysmëfinale

Liga Unike, që nisi rrugëtimin të martën, ka njohur sot dhe çiftin e dytë gjysmëfinal. Pas Pejës dhe Rahovecit, që siguruan dje kualifikimin e tyre, sot ishte radha e Goga Basket dhe Golden Eagle Ylli për të prerë biletën për në raundin tjetër.
Në sfidat e zhvilluara sot, Goga Basket ka shënuar fitore ndaj Tiranës 76:67. Pesë minutat e para ishin të barabartë, por më pas durrsakët u shkëputën dhe arritën të fitojnë çerekun e parë 25:12. Skuadra nga Durrësi vazhdoi me dominim në periodën e dytë, duke thelluar edhe më shumë epërsinë, ku shkoi në pushim me shifrat 48:27.
Por Tirana nuk u dorëzua dhe u rikthye në periodën e tretë, duke afruar rezultatin në 56:51, ndërsa pas 30 minutash rezultati ishte 58:53. Bardhebultë rezistuan deri në 60:56, por më pas durrësakët sërish u shkëputën, duke triumfuar në fund 76:67.
Në sfidën tjetër, Golden Eagle Ylli ka mundur Sigal Prishtina 87:70. Në minutat e para u zhvillua një lojë interesante, që përfundoi 24:20 për therandasit. Lojë e barabartë u zhvillua në periodën e dytë, ku skuadra nga Theranda e fitoi 18:16, duke shkuar në pushim me shifrat 42:36.
Prishtina nuk u dorëzua dhe e filloi fuqishëm periodën e tretë, duke afruar shifrat në 48:47, por më pas Ylli rikthehet në lojë dhe në fund triumfon 87:70.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




