Liga Unike në Vlorë, Flamurtari do trofe

Liga Unike “Shqipëri – Kosovë” tashmë është gati për të nisur fazën finale në Vlorë. Do të jenë katër skuadrat më të mira të kësaj Lige, Flamurtari, Partizani, Bashkimi i Prizrenit dhe Prishtina, që më 15-16 mars do të kthejnë festën e basketbollit në Vlorë. Një festë, e cila do të vijë drejtpërsëdrejti dhe në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa vlonjatet e Elona Hasanajt i kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve të tyre. Një trofe i tillë zhvillohet për herë të parë në Vlorë dhe Flamurtari kërkon fitoren. Këtë e konfirmon si Tea Memushi, ashtu dhe Liz Benali.
“Këto finale vijnë në Vlorë edhe në kuadrin e 100-vjetorit të themelimit të klubit. Por ndryshe nga viti i kaluar risia do të jetë se do të jemi dy ekipe nga Shqipëria dhe dy nga Kosova. Dhe ne duam ta fitojmë”, ka nënvizuar Tea Memushi.
“Mendojmë se kemi pak më shumë eksperiencë se ekipet që luajnë në Ligën Unike. Megjithatë mendoj se gara është relativisht e fortë dhe janë aty-aty me njëra-tjetrën”, thekson amerikania Benali.
Të mërkurën Flamurtari – Prishtina zhvillohet në ora 16:00, kurse Partizani – Bashkimi i Prizrenit në ora 19:00. Dhe një ditë më vonë finalet e edicionit të dytë të Ligës Unike në basketboll për femra.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




