“Ligji për Amnistinë Fiskale do bëhet”, Rama: Shqipëria ka marrë kosto të lartë, mund të bëhet e papërballueshme

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka qenë i prerë kur tha se qeveria do e bëjë ligjin për Aministinë Fiskale ndërsa theksoi se është një ide që e ka zanafillën 9 vite më parë. Rama theksoi se është vënë tavani 2 milionë euro familjare, dhe jo personale.

Sipas Ramës Shqipëria ka marrë një vendim me një kosto shumë të larë që nëse lufta zgjat përtej një limiti të caktuar, mund të bëhet e papërballueshme. Sakaq, kreu i qeverisë u ndal dhe te Dhoma Tregtare që sipas tij ka treguar mungesë respekti duke kundërshtuar projektligjin.

“Kam ndjekur me shumë vëmendje të gjitha kritikat dhe goditjet nën brez kundër amnistisë. Unë kam ftuar këtu dhe zv. Sekretaren e Këshillit të Ministrave që është dhe jurist,  për të bërë dhe një paraqitje të shkurtër të këtyre kritikave më thelbësore dhe të versionit tonë në raport me kritikat.

Bota është në luftë, Shqipëria është pjesë e kësaj lufte. Dhe ndryshe nga shumë vende të tjera, Shqipëri ka marrë një vendim me një kosto shumë të lartë. Një kosto që nëse lufta zgjat përtej një limiti të caktuar, mund të bëhet tërësisht e papërballueshme. Fatura e energjisë që sot po afrohet 500 eurove për megavat nga 50-60 që ishte para luftës, të mos reflektohet në faturën e energjisë së familjeve dhe biznesit të vogël. Paketa jonë e parë e mbështetjes për më të prekurit nga inflacioni, nuk ka zgjidhur të gjithë hallin, një hall që vazhdon teksa paketa ka përfunduar. Amnistia është ide e vjetër dhe  nuk është materializuar nga një presion i caktuar.

Që besoj ka patur arsye që sot nuk ekzistojnë më. Sot Shqipëria ka në vend një sërë strukturash që mund të garantojnë inplementimin. Aministinë e kemi menduar që para 9 vitesh, por se kemi propozuar sepse e dinim se ishte ide së cilës nuk kishte ardhur koha dhe as për kanabisin mjekësor. Propozimin e kemi bërë pas tërmetit. Qeveritë kur angazhohen për një amnisti ndodh për thithjen e parasë dhe nxjerrjes së parasë nga e zeza në të bardhë. Ta trajtosh Shqipërinë si një vend me bisht ndërkohë që amnistia bëhet në mënyrë të rregullt, kjo nuk është as gjëja e drejtë, as gjëja e duhur.

Kemi bërë një punë gati 3-vjeçare, sepse tërmeti na shtyu, argumentet që na u dhanë ishin të vlefshëm dhe prandaj e shtymë këtë proces.

E para, ngrehina ligjore kundër pastrimit të parave nuk ishte Akoma e ngritur. Sot është e ngritur. Strukturat e reja të drejtësisë nuk ishin ende të ngritura, procesi i fiskalizimit nuk ishte ende i ngritur. Dhe të çohen dhoma tregtie dhe të bëjnë fletë-rrufe për këtë iniciativë të qeverisë, kjo është mungesë respekti për sovranitetin, dinjitetin dhe të drejtën e Shqipërisë për të pasur ambicien e saj.

Patjetër që ka rrisqe. Kemi vënë tavanin 2 milionë euro, familjare, jo personale. Kemi vendosur që për 5 vjet ti paratë do t’i sjellësh në Shqipëri, do i investosh në Shqipëri. Ne kemi konsultuar popullin për këtë, në këshillimin kombëtar, 66% e atyre që morën pjesë kërkuan që emigrantëve shqiptarë, por edhe ata që janë këtu, kanë thënë Po kjo duhet bërë. Kjo vjen si rezultat i të marrurrit pak si lehtë i Shqipërisë. Nuk kanë faj partnerët, kur ne bëjmë raporte për organizma ndërkombëtare nxijmë imazhin e vendit me këto raporte, s’kanë faj ata”, tha Rama.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme