Lija e majmunëve, OBSH në gatishmëri, po përgatit udhëzimet për të ngadalësuar përhapjen e virusit

Botë | 4 vite më parë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është vënë në gatishmëri për linë e majmunëve pas shqetësimeve të Drejtorit Rajonal të OBSH -së për Evropën, Hans Kluge, se virusi mund të përhapet në Kontinentin e Vjetër gjatë verës.

Për më tepër, rastet e identifikuara edhe në disa vende të Evropës, nuk lënë vend për vetëkënaqësi për OBSH-në, e cila sipas një këshilltari të lartë të OKB, po përgatitet që ditët në vijim t’u japë udhëzime të reja vendeve se si të frenojnë përhapjen e virusit.

Bazuar në rastet e identifikuara deri më tani, vlerësohet se transmetimi i virusit është për shkak të kontaktit seksual , tha David Hayman, kryetar i Grupit Këshillimor Strategjik dhe Teknik të OBSH-së për Rreziqet Infektive.

Hayman, një profesor në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, tha se ekspertët ka të ngjarë të japin më shumë udhëzime për vendet në ditët në vijim. Zyrtarët shëndetësorë në shumë vende kanë paralajmëruar se rastet mund të rriten më tej në tubime dhe festivale të mëdha verore.

“Ajo që duket se po ndodh tani është se ajo ka hyrë në popullatë përmes kontaktit seksual dhe po përhapet si infeksione seksualisht të transmetueshme, gjë që ka rritur transmetimin e saj në mbarë botën”, tha Hayman.

Hayman tha gjithashtu se kontakti i ngushtë ishte rruga kryesore e transmetimit të virusit.

Sipas tij, shpërthimi i lisë së majmunëve nuk duket si ditët e para të pandemisë COVID-19 sepse nuk transmetohet aq lehtë. Ata që dyshojnë se mund të jenë ekspozuar ose kanë simptoma, duke përfshirë një skuqje tipike të lëkurës dhe temperaturë, duhet të shmangin kontaktin e ngushtë me të tjerët, vuri në dukje ai.

Më shumë se 100 raste të lisë së majmunëve, e cila është endemike në Afrikën Perëndimore, janë zbuluar deri më tani në Evropë, identifikuar deri më tani në Gjermani, Portugali, Spanjë, Zvicrë e Britani./ CNN.gr

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme