Lituania paralajmëron: Rusia mund të inskenojë një sulm me “flamur të rremë” në vendet baltike

Botë | 3 muaj më parë

Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas, ka paralajmëruar se Rusia mund të jetë duke shqyrtuar skenarë provokues me të ashtuquajturin “flamur i rremë” ndaj vendeve të NATO-s në rajonin e Baltikut.

Sipas ministrit, autoritetet lituaneze nuk kanë informacion për një datë konkrete të një veprimi të tillë, por situata po monitorohet nga afër në bashkëpunim me Poloninë dhe aleatët e tjerë të NATO-s. “Ne po vlerësojmë dhe monitorojmë nivelin e kërcënimit“, deklaroi Kaunas, cituar nga transmetuesi publik lituanez LRT.

Ndërkohë, sipas raportimeve të agjencisë BNS dhe medias lituaneze 15min, një nga skenarët që besohet se po shqyrtohet nga Moska është përdorimi i dronëve të prodhimit ukrainas, të kapur ose të modifikuar, për të goditur infrastrukturë kritike në rajonin baltik. Një sulm i tillë do të synonte t’ia atribuonte përgjegjësinë Ukrainës, duke krijuar një operacion të tipit “flamur i rremë”.

Sipas ministrit lituanez, një provokim i tillë mund të përdorej për të testuar vendosmërinë e NATO-s dhe mbështetjen e saj ndaj Ukrainës. Megjithatë, Kaunas theksoi se vlerësimet aktuale tregojnë se rreziku i një sulmi të drejtpërdrejtë ushtarak ndaj Lituanisë mbetet i ulët.

Deklaratat e ministrit vijnë në një kohë kur vendet e krahut lindor të NATO-s kanë shtuar paralajmërimet për rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve me Rusinë. Gjatë muajve të fundit, Lituania është përballur disa herë me alarme për praninë e dronëve në hapësirën e saj ajrore, duke rritur shqetësimet për sigurinë në rajon.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme