Lufta me Ukrainën/ Macron: Perëndimi duhet të garantojë sigurinë e Rusisë, nëse pranon të negociojë

Botë | 4 vite më parë

“Perëndimi duhet t’i ofrojë Rusisë garanci sigurie nëse pranon negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, kështu ka theksuar presidenti francez, Emmanuel Macron ndërsa shton se Evropa duhet të përgatisë arkitekturën e saj të ardhshme të sigurisë.

Për presidentin francez, në rrezik në Ukrainë janë parimet e Kartës së OKB-së, integriteti territorial dhe sovraniteti kombëtar 

“Ka një çështje që varet nga ukrainasit, ajo është çështja e kufirit. Është një çështje që duhet ta përgatisim dhe kjo është ajo që diskutuam me presidentin amerikan Joe Biden , arkitekturën e sigurisë në të cilën duam të jetojmë nesër. Kjo do të thotë se një nga pikat kyçe për t’u parë, siç thotë gjithmonë presidenti Putin, është shqetësimi i tij për ardhjen e NATO-s në derën e tij dhe zhvillimin e armëve që mund të kërcënojnë Rusinë, jo çështje do të jetë një nga faktorët për paqen në rajon dhe për këtë arsye ne duhet ta përgatisim atë: çfarë jemi gati të bëjmë, si do t’i mbrojmë aleatët tanë dhe vendet anëtare duke i ofruar garanci Rusisë për sigurinë e saj, ditën e sotme”, tha Macron.

Në të njëjtën kohë, Macron siguroi se Franca do të vazhdojë t’i ofrojë armë Ukrainës dhe ta mbështesë atë.

“Në javët e ardhshme ne duhet të ndihmojmë Ukrainën të rezistojë, ukrainasit të durojnë, të vazhdojmë t’i ndihmojmë ata ushtarakisht, të shmangim përshkallëzimin dhe të ndërhyjmë në mënyrë shumë specifike për të mbrojtur centralet bërthamore dhe për të përgatitur dialogun për ditën kur të gjithë njerëzit do të kthehen në tryezë, negociatat”, vuri në dukje Macron.

Këtë javë, SHBA dhe Rusia thanë se ishin të hapura në parim për bisedime, megjithëse Biden theksoi se do të bisedonte me Putinin vetëm nëse ishte i interesuar për t’i dhënë fund luftës .

Së fundi, Ukraina vëren se negociatat do të jenë të mundshme vetëm nëse Rusia ndalon ofensivën e saj dhe tërheq trupat e saj.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme