Lufta/ Ministri ukrainas i Mbrojtjes: Jemi vendi më i minuar në Tokë, na duhet ndihmë për t’i pastruar

Botë | 3 vite më parë

Ukraina është tani vendi më i minuar në Tokë dhe ushtria e saj po vuan nga një mungesë kritike e njerëzve dhe pajisjeve në gjendje të pastrojë vijat e frontit. Kështu deklaroi Ministri i Mbrojtjes i vendit, Oleksii Reznikov, i cili i bëri thirrje për ndihmë aleatëve.

Sipas Reznikov, ushtarët e tij po zbulonin pesë mina për çdo metër katror, të vendosura nga trupat ruse në përpjekje për të penguar kundërsulmin e Ukrainës.

Ai tha se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që aleatët të “zgjeronin dhe përshpejtonin” ndihmën që tashmë po ofrohet nga disa vende, përfshirë Britaninë.

 “Fushat e minuara ruse janë një pengesë serioze për trupat tona, por jo e pakapërcyeshme. Ne kemi xhenierë të aftë dhe pajisje moderne, por ato janë jashtëzakonisht të pamjaftueshme për frontin që shtrihet qindra kilometra në lindje dhe jug të Ukrainës”, tha Reznikov.

Disa nga minat që mbushin vendin janë vendosur nga forcat ukrainase për të mbrojtur linjat e tyre mbrojtëse, por shumica dërrmuese janë ruse.

Pete Smith, menaxheri i programit Halo në Ukrainë për pastrimin e minave, tha se niveli i ndotjes nga minat ishte “i panjohshëm në historinë moderne”.

“Ajo që ne po dëshmojmë është lloji më i rëndë i ndotjes nga minat tokësore dhe municionet e pashpërthyera që është parë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ka prova të konsiderueshme të fushave të mëdha lineare të minuara”, tha ai./ The Guardian

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme