Lufta në Ukrainë/ Frika nga ndërprerja totale e energjisë, Kievi planifikon evakuimin e rreth 3 mln banorëve

Me 40% të infrastrukturës energjetike të Ukrainës të dëmtuar ose të shkatërruar nga bombardimet ruse , zyrtarët në Kiev thuhet se po planifikojnë të evakuojnë rreth tre milionë banorë në rast të një ndërprerjeje totale të energjisë elektrike.
Për të parandaluar një kolaps të plotë të rrjetit, kompania kombëtare e energjisë e Ukrainës tha të shtunë (5 nëntor) se do të vazhdojë të imponojë ndërprerje të energjisë elektrike në shtatë rajone.
Tendosja e madhe mbi aftësinë e Ukrainës për të siguruar energji elektrike është rezultat i bombardimeve ruse të infrastrukturës kritike të energjisë, një taktikë që analistët thonë se presidenti rus Vladimir Putin e ka përdorur për shkak se trupat e tij kanë pësuar disfata të përsëritura në fushën e betejës.
Dëmi i shkaktuar nga sulmet ruse ka sjellë vuajtje të reja për qytetarët e Ukrainës dhe i ka detyruar zyrtarët të marrin në konsideratë mundësinë e një zhvillimi të mëtejshëm të tmerrshëm, duke i bërë ata të paaftë për të ofruar shërbime thelbësore.
“Ne e kuptojmë se nëse Rusia vazhdon sulme të tilla, ne mund të humbasim të gjithë sistemin elektrik“, tha Roman Tkachuk, drejtori i sigurisë së qeverisë së Kievit.
Zyrtarëve në kryeqytetin ukrainas u është thënë se mund të paralajmërohen vetëm 12 orë para se rrjeti elektrik të jetë në prag të kolapsit.
“Nëse situata arrin në këtë pikë, ne do të fillojmë të informojmë qytetarët dhe t’u kërkojmë të largohen. Për momentin situata është e menaxhueshme dhe nuk ka shenja se një numër i madh civilësh po largohen nga Kievi. Por kjo do të ndryshojë me shpejtësi, nëse shërbimet prishen. Nëse nuk ka rrymë, nuk do të ketë ujë. Për këtë arsye, qeveria dhe administrata e qytetit aktualisht po marrin të gjitha masat e mundshme për të mbrojtur sistemin tonë të furnizimit”, shtoi Tkachuk.
Me afrimin e dimrit, kryeqyteti ukrainas po përgatit 1000 strehimore për ngrohje, të cilat gjithashtu do të jenë në gjendje të mbrojnë civilët nga raketat ruse. Shumica janë brenda objekteve arsimore, por autoritetet kanë kërkuar që vendndodhjet e tyre të sakta të mos zbulohen për të mos i bërë ato objektiva të lehta./ CNN.gr
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




