Lufta në Ukrainë, Lavrov: Rusia nuk do të negociojë sipas planit të paqes të Zelenskit

Moska nuk do të negociojë me Kievin në bazë të formulës së propozuar të paqes nga Presidenti Volodymyr Zelensky. Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se ideja e Zelenskit për të dëbuar trupat ruse nga Donbasi, Krimea, Zaporizhzhia dhe Kherson me ndihmën e Perëndimit ishte “një iluzion”.
Ai hodhi poshtë gjithashtu idenë se Rusia do të paraqitej në gjykatat ndërkombëtare.
“Ne nuk do të flasim me askënd në kushte të tilla”, tha Lavrov.
Megjithatë, Lavrov theksoi se Rusia mbetet e hapur ndaj zgjidhjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Disa javë më parë, Zelensky prezantoi formulën e paqes prej 10 pikash të Ukrainës para udhëheqësve botërorë në samitin e Grupit 20 në Bali, ku hapat përfshijnë një rrugë drejt sigurisë bërthamore, sigurinë ushqimore, një gjykatë speciale për krimet e dyshuara të luftës ruse dhe një traktat përfundimtar paqeje me Moskën.
Ai u kërkoi gjithashtu udhëheqësve të G20-ës që të përdorin të gjithë fuqinë e tyre për ta “bërë Rusinë të braktisë kërcënimet bërthamore” dhe të zbatojë një kufi çmimi për energjinë e importuar nga Moska.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



