Lufta në Ukrainë, Zelensky: Kemi rimarrë 6000 km katrorë tokë nga Rusia

Forcat ukrainase kanë bërë përparim të rëndësishëm në kundërsulmin e tyre kundër forcave ruse, veçanërisht në veri-lindje të vendit. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se forcat e vendit të tij kishin marrë përsëri 6,000 km katrorë të territorit të mbajtur nga Rusia, ndërsa forcat ukrainase kanë vazhduar të bëjnë kundërsulm në Kharkiv, duke kërkuar të marrin kontrollin e pothuajse të gjithë provincës.
Komandantët ushtarakë të Rusisë kanë ndaluar dërgimin e njësive të reja në Ukrainë pas kundërofensive, tha të hënën shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës. Trupat ruse kanë lënë pas rezerva municionesh dhe furnizime të tjera pas kundërofensivës së Ukrainës në rajonin e Kharkiv.
Rusia iu përgjigj kundërofensivës duke lëshuar sulme me raketa që ndërprenë furnizimin me energji elektrike dhe ujë në qytetin Kharkiv për herë të dytë në më pak se 24 orë.
Instituti për Studimin e Luftës me bazë në SHBA tha se “Ukraina e ka kthyer rrjedhën në favor të saj, por kundërofensiva aktuale nuk do t’i japë fund luftës”.
Në Rusi, deputetët komunalë nga 18 rrethe të Moskës dhe Shën Petersburg kanë nënshkruar një deklaratë publike duke kërkuar që Vladimir Putin të japë dorëheqjen. “Ne, deputetët komunalë të Rusisë, besojmë se veprimet e Presidentit Vladimir Putin dëmtojnë të ardhmen e Rusisë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Ksenia Torstrem, deputetja komunale e rrethit Semenovsky të Shën Petersburgut./ The Guardian
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




