Luftë apo zgjidhje diplomatike, e gjithë bota me sytë nga Bjellorusia

Luftimet në Ukrainë kanë hyrë në ditën e pestë. Sa më shumë ditë kalojnë aq më shumë shtohet dilema nëse krizës ndërkombëtare së Ukrainës me Rusinë do i jepet një zgjidhje diplomatike, apo do vijojnë përleshjet në fushëbetejë. Bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë janë ndërprerë për një kohë të shkurtër, pas më shumë se 3 orësh, për të rinisur sërish. Takimi po mbahet pranë kufirit me Bjellorusinë. Delegacionet u ulën në një tryezë të përbashkët, ku ministri i jashtëm i Bjellorusisë, Vladimirovich Makei tha se “Ju mund të ndiheni plotësisht të sigurt këtu.”
Sipas mediave të huaja, ndërprerja e menjëhershme e zjarrit dhe tërheqja e trupave ruse, ishte kërkesa e Kievit ndaj Rusisë. Ndërkohë, Moska deklaroi se dëshiron të arrijë një marrëveshje që ishte në interes të të dyja palëve. Por ka shumë skepticizëm për rezultatin e negociatave në Bjellorusi. Presidenti i Ukrainës, Zelensky tha se 24 orët e ardhshme janë vendimtare për Ukrainën.
Presidenti Zelenski kërkoi një anëtarësim të shpejtë në BE në një video-mesazh përmes së cilit ai gjithashtu u bëri thirrje trupave ruse të dorëzonin armët.
“Qëllimi ynë është të jemi së bashku me të gjithë evropianët dhe më e rëndësishmja, të jemi në një pozitë të barabartë,” tha ai. “Jam i sigurt se është e drejtë. Jam i sigurt se është e mundur.”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se kishte patur një telefonatë me udhëheqësin ukrainas dhe se “e vlerësoi atë për guximin e popullit dhe forcave të armatosura të Ukrainës”.
“Aleatët e NATO-s po rrisin mbështetjen me raketa mbrojtjeje ajrore, armë antitank, si dhe ndihmë humanitare dhe financiare,” shkruante zoti Stoltenberg në Twitter.
Rusia u përball me presion të shtuar diplomatik dhe ekonomik të hënën, ditën e pestë të fillimit të agresionit ndaj Ukrainës.
Ministria britanike e mbrojtjes tha të hënën se trupat ruse vazhdonin të ishin mbi 30 kilometra në veri të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, duke shtuar se “dështimet logjistike dhe rezistenca e fortë ukrainase vazhdojnë të pengojnë përparimin rus”.
Ky vlerësim përputhet me vlerësimin e një zyrtari të lartë amerikan të mbrojtjes, i cili u tha gazetarëve të dielën, se “nuk kemi asnjë tregues se ushtria ruse ka marrë kontrollin e ndonjë qyteti.”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




