Luiza Gega nis vitin në Karlsruhe

Luiza Gega nis garimin e saj për vitin 2023, ndërsa do të marrë pjesë në mbrëmjen e së premtes në një etapë të Diamond League në salla të mbyllura në Karlsruhe. Gega garon në 3000 metra, kurse Taulant Stërmasi tregon gjendjen e Kampiones së Europës në prag të kësaj gare.
“Po mbyllim fazën e dytë të periudhës përgatitore që është duke u zhvilluar aktualisht në Portugali. Kemi patur një fazë të parë 6-javore në Kenia. Pas kthimit 4-5 ditor kemi bërë një test në Bolcano në fund të dhjetorit, më saktë më 31 dhjetor, ndërsa kemi ardhur me rekord kombëtar në 5 kilometra rrugë. Dhe më pas jemi duke vazhduar fazën e dytë në Kenia”, nënvizon Stërmasi.
Por cilat janë pritshmëritë e Stërmasit për këtë garë të parë të vitit?
“Do shkojmë të testojmë atë që kemi zhvilluar deri më tani në stërvitje. Nuk kam ndonjë objektiv të madh. Sigurisht që presim të bëjmë më mirë se çfarë kemi bërë përpara”, thekson trajneri i Luiza Gegës.
Kampionati Ballkanik në salla të mbyllura dhe më pas Kampionati Europian. Ja dhe pretendimet për Luiza Gegën.
“Do të shohim se si do të shkojë gara në Karlsruhe e pastaj do të vendosim objektivat për garat e radhës, që mund të më 8 shkurt në Torun të Polonisë, i cili është edhe ai Golden Tour, ose do të shkojmë direkt në Kampionatin Ballkanik në Stamboll. Në Europian pastaj nëse do të jemi në formë do të shkojmë për medalje”, bën të ditur Stërmasi.
Ndërkohë ky është viti i normave të kualifikimit për Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Për Stërmasin, Gega asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim kapjen e normës për në Olimpiadë. Madje duke patur objektiva madhore dhe për Botërorin e Budapestit.
“Kualifikimet nisin që më 1 korrik kështu që garat do t’i nisim më herët. Më 5 maj do të jemi në Doha në Diamond League. Do të jemi më pas në Firence, e cila është një nga stacionet e Diamond League dhe pastaj në garat e tjera, duke nisur nga 7 korriku, do të garojmë për të arritur normën e kualifikimit për në Paris 2024”, ka përfunduar Stërmasi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




