Lukashenko: Lufta në Ukrainë përtej parashikimeve

Lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenko, ka thënë se është duke bërë gjithçka që mundet për të ndihmuar në dhënien fund të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila është “zvarritur” më gjatë sesa e ka menduar ai.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Associated Press, të publikuar më 5 maj, Lukashenko ka thënë se Kievi ka “provokuar” Moskën, teksa ka komentuar pushtimin rus në Ukrainë.
Ndonëse nuk ka dhënë hollësi sesi Ukraina e ka provokuar Rusinë para nisjes së luftës, Lukashenko ka thënë se ka informacione që tregojnë se Ukraina ka planifikuar të sulmojë edhe bjellorusët.
Lideri bjellorus i ka ndihmuar Rusisë në këtë konflikt duke ia lënë të lirë territorin e shtetit për të nisur sulme në tokën ukrainase.
Lideri bjellorus – i cili është në pushtet nga viti 1994 – është përballur me protesta masive, të cilat ka tentuar t’i shuajë përmes taktikave të ashpra.
Lukashenko, 67-vjeçar, ka thënë për AP-në se është duke bërë “gjithçka” që mundet për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Nuk jam i zhytur aq në këtë problem sa të mund të them nëse gjithçka shkon sipas planit, siç thonë rusët. Dua të theksoj edhe një herë, më duket se ky operacion është duke u zvarritur”, ka thënë Lukashenko nga Minsku. /REL
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




