Lushnja, starti me fitore në kampionat

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Lushnja e ka nisur mbarë sezonin e ri në Superligën shqiptare të volejbollit të femrave, ndërsa të shtunën pasdite ka fituar 3-1 me përmbysje në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit. Madje për Teutën është rikthim në elitën e volejbollit shqiptar, teksa sezonin e kaluar ishte në grupin A2. Durrsaket e Edmond Jazexhiut e kanë nisur mirë ndeshjen, ndërsa kanë fituar setin e parë 25-21. Më pas tre sete njëherazi për lushnjaret e Erilda Allkanjarit, të cilat këtë sezon kanë marrë edhe një lojtare si Fatbardha Picaku. 18-25, 23-25, 22-25 dhe në fund 3-1. Menjëherë pas ndeshjes, për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar, trajneria e Lushnjës, Erilda Allkanjari, dhe ai i Teutës, Edmond Jazexhi kanë dhënë përshtypjet e tyre për këtë takim të parë të kampionatit.

“Ne jemi një skuadër që nuk bëjmë stërvitje të rregullta bashkë, sepse gjysma e ekipit është në Lushnjë dhe tjetra në Tiranë. Sigurisht me përforcimet që kemi marrë, të tilla si Picaku, jam e kënaqur me paraqitjen dhe me fitoren e takimit të parë”, ka thënë Allkanjari

“Teuta është një skuadër e ndërtuar me lojtaren, mosha mesatare e së cilave shkon 17 vjeç. Janë lojtare që mund të luanin me skuadrën e U-18, apo U-20, dhe që kanë pak përvojë në skuadrën e parë. Megjithatë unë jam i kënaqur për paraqitjen dhe shumë shpejt do ta themi fjalën tonë më mirë në fushën e lojës”, theksoi Jazexhi.

Në ndeshjet e tjera të Superligës për vajza bie në sy fitorja e Barletit Volej, 3-0 ndaj Korabit dhe e Partizanit, 3-1 ndaj Vllaznisë. Për meshkuj Erzeni fitoi në Durrës, 3-0. Po kështu Partizani,. 3-1 ndaj Vllaznisë, dhe Studenti, 3-0 ndaj Elbasanit.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme