Macron dhe Harris kërkojnë të rivendosin lidhjet pas mosmarrëveshjeve

Botë | 5 vite më parë

Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, dje u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee për bisedime që synojnë përmirësimin e lidhjeve pas një krize diplomatike lidhur me marrëveshjen e nëndetëseve.

Harris ateroi në Francë të martën herët për një vizitë njëjavore e cila do të jetë e ngjeshur, ndërsa ndalesa e parë ishte takimi me kreun e shtetit francez për të përmirësuar marrëdhëniet pas njoftimit në shtator për krijimin e një partneriteti të zgjeruar trepalësh sigurie të quajtur AUKUS, pjesë e së cilës janë Australia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja.

Sipas aleancës, u arrit një marrëveshje me të cilën Australia do të blejë tetë nëndetëse bërthamore moderne nga SHBA-ja ose Britania e Madhe, duke hedhur poshtë Programin e saj të Nëndetëseve Franceze me naftë në proces, që i kushtoi Francës rreth 56 miliardë euro (64,2 miliardë dollarë) të ardhura të humbura.

Qeveria franceze u përjashtua plotësisht nga marrëveshja AUKUS, duke thënë se kurrë nuk ishin informuar për ekzistencën e saj. Ditë më vonë, Franca tërhoqi ambasadorët e saj nga Uashingtoni dhe Canberra.

Harris dhe Macron pranuan se bota është në fillimin e një epoke të re dhe bashkëpunimi është “absolutisht kritik” për të ardhmen.

Macron ishte takuar me presidentin amerikan Joe Biden në samitin e G20 në Romë më 29 tetor për të diskutuar situatën.

“Më duhet të them se patëm një takim të frytshëm në Romë disa ditë më parë me Presidentin Biden, i cili hapi rrugën për javët, muajt dhe, më duhet të them, vitet e ardhshme”, i tha ai zv.presidentes amerikane.

Harris u pajtua, duke shtuar: “Unë besoj dhe ndajmë këtë besim, se jemi në fillimin e një epoke të re e cila na paraqet shumë sfida, por edhe shumë mundësi. Kur Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar rreth sfidave dhe mundësive në të kaluarën, ne kemi arritur gjithmonë sukses të madh”.

Harris do të vazhdojë udhëtimin e saj diplomatik duke mbajtur fjalime në Forumin e Paqes në Paris, një ngjarje e organizuar nga Presidenti Macron. Ajo do të marrë pjesë gjithashtu në ceremonitë përkujtimore të armëpushimit të vitit 1918 që i dha fund Luftës së Parë Botërore, e cila festohet si Dita e Veteranëve në SHBA.

Të premten, ajo do të marrë pjesë në Konferencën shumëpalëshe të Parisit për Libinë, e cila do të fokusohet në çështjen e organizimit të zgjedhjeve të lira në vendin e zhytur në krizë./AA


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme