Malaj: Banka Shqiptare e Zhvillimit do financojë deri në 1 miliard euro investime. Në fokus, bujqësia dhe projektet strategjike

Ekonomi | 5 muaj më parë

Ministri i Financave, Petrit Malaj, pas mbledhjes së qeverisë, dha detaje mbi ecurinw dhe krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, një institucion i ri financiar që synon të mbështesë sektorët strategjikë të ekonomisë dhe projektet me rëndësi për zhvillimin e vendit.

Sipas Malajt, banka është konceptuar me një kapital fillestar prej 100 milionë eurosh dhe do të ketë potencialin për të gjeneruar financime që variojnë nga 500 milionë euro minimumi deri në 1 miliard euro.

Ministri theksoi se roli kryesor i Bankës Shqiptare të Zhvillimit do të jetë financimi i sektorëve që aktualisht kanë vështirësi në sigurimin e fondeve ose që konsiderohen të nënfinancuar nga tregu bankar.

“Banka Shqiptare e Zhvillimit është konceptuar të ketë një kapital prej 100 milionë eurosh dhe do të ketë potencialin për të financuar nga 500 milionë euro deri në 1 miliard euro. Konceptimi i bankës është që të financojë sektorët e nënfinancuar dhe projektet strategjike të qeverisë”, tha Malaj.

Sipas Malajt, krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit do të përbëjë një vlerë të shtuar për tregun financiar shqiptar, pasi do të plotësojë boshllëqet ekzistuese në financim.

Ndër sektorët prioritarë që do të përfitojnë nga financimet e bankës janë bujqësia, agropërpunimi, projektet infrastrukturore strategjike, banesat sociale, inovacioni dhe digjitalizimi, si dhe projektet që lidhen me rritjen e eficiencës së energjisë.

“Sektorët kryesorë janë bujqësia, agropërpunimi, projektet infrastrukturore strategjike për vendin, banesat sociale, inovacioni dhe digjitalizimi, si dhe projektet që lidhen me eficiencën e energjisë. Ky institucion do të jetë një vlerë e shtuar në tregun shqiptar dhe do të financojë ata sektorë që nuk kanë akses në financë ose janë të nënfinancuar”, u shpreh ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme