Manastirliu: Grupet më të rrezikuara, shumë shpejt edhe 700 mijë doza vaksinash kundër Covid-19

Masat e marra për të kontrolluar Covid-19, nëpërmjet vaksinave, do të vijojnë të jenë objektivi kryesor i qeverisë edhe gjatë muajve në vazhdim. Ministrja e Shëndetësië, Ogerta Manastirliu, në “Forumin për Shëndetin dhe Mirëqenien e të Rinjve”, bëri të ditur sot se në Shqipëri pritet shumë shpejt të vijnë edhe 700 mijë vaksina përforcuese kundër COVID-19, të cilat do të jenë të destinuara për grupet më të rrezikuara.
“Ka një kontroll të pandemisë dhe kjo i dedikohet armës më të fuqishme që kemi sot, që është vaksina. Nëpërmjet një marrëveshje që po bëjmë me kompaninë Pffizer, ne do të kemi mundësi që të kemi deri në 700 mijë doza vaksinash përforcuese, të planifikuar për të gjitha ato grupe risku, por edhe të rinjtë”, tha Manastirliu.
Sipas saj, dy vitet e fundit kemi pasur një influencë gripale të ulët, pasi në shumë vende janë zbatuar masa shëndetësore strikte, që përfshijnë distancën, maskën, ajrimin e ambienteve, etj.
“Përpos vaksinës Covid, nga nesër fillon vaksinimi kundër gripit”- tha Manastirliu.
Ndërsa drejtori i OBSH për Evropën, Hans Kluge, i pranishëm në “Forumin për Shëndetin dhe Mirëqenien e të Rinjve”, theksoi rëndësinë e vaksinës, pasi me dimrin, për shkak edhe të mutacioneve të reja, pritet një rritje e rasteve me virus.
“Kemi përpara dimrin e tretë të pandemisë. Skenari më i mundshëm është që do të ketë një kulm infeksionesh, por nuk do të ketë një kulm të shtrimeve. Elementi i parë është vaksina. E rëndësishme është që të kemi dy vaksina për njerëzit vulnerabël, një dozë booster të dytë për Covid-19 dhe për gripin”,- tha drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




