Manchester United “ëndërron” Kasemiron

Manchester United duket se nuk i ka mbyllur ende “llogaritë” me merkaton. Duke parë edhe nisjen zhgënyese në kampionat, anglezët po projektojnë një operacion të bujshëm në tregun e lojtarëve duke pretenduar një prej mesfushorëve më të mirë të Realit të Madridit, Kasemiro. Braziliani, ndonëse është 30 vjeç, pritet të ketë një kontratë “faraonike” nëse pranon të shkoj në ishull.
Josep Pedrerol, drejtuesi i emisionit sportiv “El Chiringuito” dhe një nga njerëzit me më shumë njohuri rreth asaj që ndodh në klubin madrilen, ka zbuluar detajet e kësaj situate që mund të ndryshojë pamjen e të dy klubeve. “Pas humbjes 4-0, drejtuesit e Mançester Junajtid kanë vendosur që të afrojnë Kasemiro dhe kanë kontaktuar nëpërmjet një ndërmjetësi, menaxherin e tij. Reali nuk e ka nxjerrë në shitje dhe nuk ka ndër mend ta nxjerrë, por nëse Kasemiro kërkon largimin, për shkak të kontributit që ka dhënë në klub, Reali nuk do t’ia refuzojë.
Kasemiro është 30-vjeçar dhe ka një kontratë edhe për tre vite te Reali. Ndërmjetësi i ka bërë të qartë se Mançester Junajtid i ofron një kontratë pesëvjeçare, me dyfishin e rrogës që përfiton aktualisht te Real Madrid. Një ofertë e parefuzueshme dhe ndjesia në klubin e Realit është që Kasemiro do të pranojë. Gjërat mund të lëvizin shumë shpejt, pasi Mançester Junajtid kërkon që të mbyllë gjithçka para të shtunës. Ata duan të nënshkruajnë me lojtarin në mënyrë që ta kenë të gatshëm që për ndeshjen me Liverpulin që luajnë këtë javë”, tregoi gazetari i njohur spanjoll prapaskenat e kësaj lëvizje të papritur në merkaton e futbollistëve.
Në fakt në Manchester pritej mesfushori tjetër që lunate në Spanjë, De Jong, për të shpëtuar edhe financat e Barcelonës, por refuzimi i lojtarit holandez ka bërë që anglezët të kërkojnë një alternativë tjetër.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




