Maqedonia e Veriut penalizon Shqipërinë, nuk ka hapje negociatash

Shqipëria penalizohet sërish për negociatat. Edhe pse vendi ynë ka mbështetjen e të gjitha shteteve të BE, këtë radhë shkak është bërë “vetoja” e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Të martën do të diskutohet procesi i zgjerimit në Luksemburg në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, por nuk pritet ndonjë vendim i rëndësishëm.
Ndonëse ishte paralajmëruar muajin e kaluar se ne takimin e ministrave të jashtëm do të ketë diskutime për rajonin e Ballkanit Perëndimor, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë sepse nuk ka pasur ndryshime që do të mund të krijonin hapësirë për ndonjë debat të suksesshëm.
Sipas burimeve të Radio Evropa e Lirë janë shuar të gjitha gjasat që në këtë takim të miratohen kornizat për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo për shkak se Bullgaria nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi për Maqedoninë e Veriut dhe si pasojë disa vende nuk dëshirojnë që të diskutohet dhe vendoset vetëm për Shqipërinë.
Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian të dyja këto vende kandidate i kanë përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit, por vendimi për një hap të tillë merret në Këshill vetëm nëse të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së bien dakord për një gjë të tillë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




