Marquez humbet edhe garën në Spanjë

Kohët e rikuperimit po bëhen më të gjata për Marc Marquez, i cili iu nënshtrua një operacioni në dorën e djathtë katër javë më parë pas aksidentit në Portimao. Honda njoftoi se spanjolli do të humbasë edhe Çmimin e Madh të Spanjës, i planifikuar për këtë fundjavë në Jerez, gara e katërt e kampionatit të MotoGP. “Të martën, më 25 prill, Marc Marquez iu nënshtrua një kontrolli mjekësor, pas operacionit të kryer me sukses katër javë më parë për një frakturë të dorës së tij të djathtë”, thuhet në deklaratën e ekipit të HRC.
Progresi klinik dhe radiologjik është vlerësuar i kënaqshëm, por megjithatë, për shkak të natyrës së frakturës dhe kohës që ka kaluar, ekipi mjekësor dhe vetë Marquez, kanë vendosur të vazhdojnë rikuperimin dhe përgatitjen në javët e ardhshme dhe për t’u përqendruar në rikthimin e tij të mundshëm në GP të Francës, i programuar për t’u zhvilluar në fundjavën 12-14 maj.
Pas skanerit të bërë, kocka ende nuk është shëruar plotësisht dhe gara në jerez do të ishte e rrezikshme” – shkruhej në njoftimin e skuadrës japoneze. Këto mungesa nuk duket se do të kompromentojnë sezonin e spanjollit. Për fatin e tij, prania e Garave Sprint ka rritur numrin e pikëve në dispozicion dhe një rikthim është ende i mundur.
“Më vjen shumë keq që humbas Çmimin e Madh të Spanjës, sepse është gjithmonë i veçantë, për shkak të atmosferës, e mbi të gjitha është një nga garat e mia në shtëpi. Do të vazhdoj rehabilitimin dhe punën për t’u rikthyer sa më shpejt. Faleminderit për mesazhet tuaja mbështetëse” – ka thënë Marquez. Në vend të tij, në Çmimin e Madh të Spanjës, për Hondën do të konkurrojë spanjolli i skuadrës Superbike, Iker Lecuona dhe jo piloti testues Stefan Bradl.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




