Marrëdhënia SHBA-Shqipëri / Yuri Kim: Kemi përparuar! Mbështesim integrimin në BE dhe “Ballkanin e Hapur”

Ambasadorja amerikane në vendin tonë Yuri Kim ka përgëzuar përparimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA. Në konferencën “Shqipëri-SHBA” që po zhvillohet në Tiranë në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve ajo tha se ka ende shumë për të bërë. Yuri Kim theksoi se SHBA do të jetë krah vendit tonë gjatë gjithë kohës.
“Kemi përparuar shumë në rrugën tonë. Në 1991 askush nuk e kishte parashikuar që Shqipëria të ishte e ulur ngjitur me fuqitë botërore në Këshillin e OKB-së, të ishte pjesë e NATO-s, kjo sigurisht që kërkoi sakrificë shumë të madhe nga populli e qeveria. Ne jemi këtu të themi se ne jemi me ju e ju jeni me ne gjatë gjithë kohës. 31 vite pas rënies së komunizmit mbetet ende shumë për të bërë. Mendoni sa shumë kemi përparuar’, tha ambasadorja Kim.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, ambasadorja amerikane u shpreh se SHBA mbështet integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Europë si edhe iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, si një proces që do të kontribuonte në integrimin e rajonit në BE.
“Ne mbështesim të drejtën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të jenë të integruar në Europë dhe të integruar mes vete.
Po ashtu do të vazhdojmë të mbështesim të gjithë përpjekjet, përfshirë dhe “Ballkanin e Hapur”, në mënyrë që të jenë konseguente dhe të kontribuojnë për procesin e integrimit që ndiqet nga BE dhe që janë të hapur për 6 vendet”, deklaroi ambasadorja Kim.
Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars 1991.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




