Marrëveshja e Ohrit – Hill: Nuk nënkuptohet njohje, por normalizim i marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë këtë të enjte se Marrëveshja e Ohrit e arritur mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç një vit më parë, “nuk nënkupton njohje, por normalizim të marrëdhënieve” mes Prishtinës dhe Beogradit.
Hill tha po ashtu për portalin Bujanovacke se Serbia ka të drejtë për një Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë. “Në Kosovë, ata e shohin Asociacionin si një lloj Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, por Asociacioni nuk ka ngjashmëri me Bosnjë e Hercegovinën,” është shprehur Hill.
Ambasadori amerikan vlerësoi se Serbia e ka përmbushur “një pjesë të mirë” të marrëveshjes dhe se gjëja më e rëndësishme që ka mbetur është gjetja e mënyrës që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.
Marrëveshja e Ohrit, parasheh që Serbia të njohë simbolet shtetërore të Kosovës, të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe që palët ta respektojnë reciprokisht integritetin territorial dhe sovranitetin e njëra-tjetrës.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




