Marrëveshja për grurin/ Turqia kërkon të bindë Rusinë, Ukrainën

Botë | 3 vite më parë

Turqia po punon që të bindë Rusinë dhe Ukrainën për t’u ulur sërish bashkë dhe për të negociuar një marrëveshje të re për grurin.

Marrëveshja e kaluar garantoi që nga gushti 2022 deri në korrikun e këtij viti, nga Deti i Zi të kalojnë 33 milionë tonë grurë, pavarësisht luftës Rusi–Ukrainë.

Moska është tërhequr prej një muaji me justifikimin se nuk janë përmbushur kushtet e saj, si mundësimi i eksporteve të plehrave kimikë rusë dhe kryerja e pagesave në monedhën e përcaktuar.

Mësohet se ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, do të vizitojë Ukrainën javën e ardhshme, pasi Kievi ka propozuar një rrugë të re për transportin e produkteve bujqësore, që i shmang ujërat ndërkombëtarë.

“Ministria jonë e Jashtme po punon për ta rikthyer marrëveshjen për grurin. Nuk ka një ftohje të marrëdhënieve ruso-turke. Nuk ka probleme mes presidentit [Vladimir] Putin dhe presidentit tonë [Recep Tayyip Erdogan], i cili është i vetmi lider shtetëror i NATO-s që mban një dialog direkt me të dy liderët e Rusisë dhe Ukrainës,” tha për CNN Turk, këshilltari i presidentit Erdogan.

Presidenti turk ka deklaruar se shpreson që ta takojë homologun Putin brenda muajit.

Përpjekjet për një marrëveshje për eksportin e grurit po intensifikohen edhe nga Kombet e Bashkuara, pasi mungesa e një ujdie dypalëshe Rusi–Ukrainë mund të sjellë përsëri rritjen e çmimit të këtij drithi në tregjet ndërkombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme