Marrëveshje 6 miliardë dollarë për energjinë, Karakaçi: Partneriteti strategjik me SHBA garanton të ardhme të qëndrueshme
Shqipëria ka nënshkruar këtë të martë, një marrëveshje energjetike strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqinë, e cila parashikon furnizimin për 20 vite me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-të.
Marrëveshja mes Venture Global, Aktor LNG dhe Shqipërisë ka një vlerë prej 6 miliardë dollarësh dhe synon të forcojë sigurinë energjetike dhe kombëtare në rajon, duke e pozicionuar vendin tonë si një aktor të rëndësishëm në hartën energjetike të Ballkanit.
Gjatë fjalës së tij në konferencën për shtyp, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, theksoi se siguria energjetike është tashmë në krye të agjendës kombëtare dhe se ky projekt përfaqëson një transformim të sistemit energjetik të Shqipërisë.
Ai u shpreh se “Siguria energjetike ka lëvizur dhe është në krye të agjendës sonë kombëtare si element kyç i stabilitetit ekonomik dhe rezistencës kombëtare. Për Shqipërinë kjo do të thotë që të ndërmerren hapa konkretë për të diversifikuar burimet tona energjetike, për të reduktuar ekspozimin ndaj rreziqeve hidrologjike dhe për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm dhe të orientuar nga e ardhmja.”
Ministri Karakaçi shtoi se në zemër të këtij transformimi qëndron partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara.
“Në këtë kontekst, Shqipëria po merr hapa vendimtarë për ta transformuar sistemin e saj energjetik dhe në zemër qëndron partneriteti ynë i thellë strategjik me SHBA. Kjo reflekton një vizion të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme, të mbështetur në planifikim afatgjatë.”
Një shtyllë qendrore e këtij vizioni është zhvillimi i Qendrës Energjitike të Vlorës, e cila pritet të ripërcaktojë rolin e Shqipërisë në projektet rajonale energjetike, që sikurse u shpreh ministri “Qendra e Vlorës sjell disa momente kyçe: së pari, rijetëzimi i impiantit të Vlorës; së dyti, zbatimi i kapaciteteve të brezit të dytë me 250 megavat; gjithashtu riklasifikimi i infrastrukturës duke përfshirë një depozitë dhe një njësi tjetër. Gjithashtu parashikohet tubacioni Fier–Vlorë që e lidh këtë me rrjetin rajonal të transmetimit të gazit. Të gjitha këto së bashku ndërtojnë një platformë sigurie energjetike që do të rrisë kapacitetet prodhuese të energjisë në Shqipëri, do të diversifikojë kombinimin energjetik dhe do të forcojë pavarësinë energjetike të vendit.”
Sipas tij, Qendra Energjitike e Vlorës do të mundësojë ripërcaktimin e Shqipërisë si një portë strategjike energjetike në rajonin e Ballkanit, duke e lidhur importin e gazit natyror të lëngshëm me tregun rajonal dhe duke ulur varësinë nga burimet e vetme. Ministri përmbylli fjalën e tij duke theksuar.
“Qendra e re e Vlorës do të pozicionojë vendin tonë si një portë strategjike në rajonin e Ballkanit, duke e lidhur importin e gazit me tregun. Ne do të kemi një rrugë të diversifikuar, do të ulim varësinë nga burimet e vetme dhe do të rrisim rezistencën e sistemit tonë energjetik.”
Ndër të tjera ministri theksoi se ky projekt i madh energjetik pritet të sjellë një transformim të rëndësishëm për Shqipërinë, duke e vendosur në një rol kyç në sigurinë energjetike të rajonit dhe duke forcuar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe Greqinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




