Masat kundër dëmeve nga dhuna, ekspertët paralajmërojnë: Pasojat për bizneset mund të zgjasin

Ekonomi | 33 minuta më parë

Padrejtësitë dhe pabarazia nuk justifikojnë dhunën. Ekonomistë e ekspertë në analizën më të parë të situatës që shoqëron protestat në vend, e shohin dhunën e shkatërrimet me një dëm të shumëfishtë sidomos përkundër një ekonomie që e sheh veten në garë për të qenë pjesë e tregut evropian.

“Me akte të tilla që ndikojnë në pasigurinë e bizneseve në përgjithësi, pasojat mund të jenë afatgjata, përtej kohës kur ato ndodhin. Gjithashtu, ndikim kanë edhe dëmet e dukshme, si prishja e ambienteve, si dhe cenimi i qetësisë dhe i rendit publik, të cilat ndikojnë në konsum”, u shpreh eksperti i ekonomisë Eduard Gjokutaj.

Përveç masave që sipas ekspertit Gjokutaj kanë filluar, situata duhet të reflektohet nga të gjitha palët e prekura.

“Në lidhje me atë që biznesi duhet të bëjë për të qenë i përgatitur për këto raste, por edhe me atë që qeveria duhet të garantojë, duke pasur parasysh detyrimet që ka ndaj bizneseve në këmbim të taksave që mbledh prej tyre”, tha ai.

Reflektimi duhet të njohë edhe përparësinë e teknologjisë.

“Vetë teknologjia mund të aplikohet më mirë në këtë kohë për bizneset, në mënyrë që një pjesë e mirë e ekonomisë shqiptare, e cila bazohet te shërbimet, të përshtatet me kushte të tilla. Këto situata janë, në vetvete, edhe teste të përgjithshme, jo vetëm për mënyrën se si bëhet biznesi, por edhe për mënyrën se si reagon qeveria”, theksoi Gjokutaj.

Një plan i gjerë reagimi vjen përmes disa përfshirjesh.

“Hapjen e kontakteve me bizneset, regjistrimin dhe inventarizimin e mënyrës se si ato janë dëmtuar, si dhe asistimin sipas fazave dhe madhësisë së dëmit. Disa biznese kanë nevojë për asistencë financiare, ndërsa të tjera kanë nevojë për lehtësira, qoftë fiskale apo në aspekte të tjera. Pjesa tjetër ka të bëjë me mënyrën se si këto pasoja do të pasqyrohen në projektbuxhetin e vitit 2027, i cili do të marrë parasysh edhe ndikimet që mund të duken të vogla për bizneset dhe ekonominë”, tha ai.

Me një përvojë të gjatë përmes angazhimit të tij, eksperti Gjokutaj bën thirrje për konsiderimin e kolegëve dhe analistëve të fushës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme