Mattarella hap sesionin e IOC në Milano: Të respektohet armëpushimi olimpik

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka bërë një thirrje të fortë për paqe globale gjatë hapjes zyrtare të sesionit të 145-të të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Nga skena e teatrit legjendar “La Scala”, Kreu i Shtetit kërkoi që armëpushimi olimpik të respektohet në çdo zonë konflikti.
Në një kohë kur bota përballet me tensione gjeopolitike, Mattarella e cilësoi sportin si antidotin e luftës.
“Forca e paarmatosur e sportit i hesht armët,” deklaroi ai para anëtarëve të IOC. “Ne kërkojmë që armëpushimi të respektohet kudo. Sporti është e kundërta e një bote ku mbizotërojnë barrierat dhe mungesa e komunikimit.”
Sipas Presidentit, dhuna shkel dinjitetin njerëzor dhe sjell vetëm errësirë, ndërsa Lojërat Olimpike (referuar “Milan-Cortina 2026”) duhet të shërbejnë si një mesazh shprese dhe vëllazërie.
Ceremonia në “La Scala”
Pas fjalës hapëse, ceremonia mori nuanca artistike. Orkestra e teatrit, nën drejtimin e maestros Riccardo Chailly dhe me pjesëmarrjen e baritonit Luca Salsi, ekzekutoi një program koncertor të dedikuar kolosëve të muzikës italiane, Rossini dhe Verdi.
Kjo mbledhje e rëndësishme e IOC në Milano i paraprin nisjes së Lojërave Olimpike Dimërore, duke e vendosur Italinë në qendër të vëmendjes botërore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




