Mazniku në SPAK, Këlliçi: Firmosi ndërtimin e pallateve nga kompania 5D

Politikë | 2 vite më parë

Anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi ka akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj dhe ish nënkryetarin e Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku se kanë firmosur një marrëveshje për prishjen e 13 pallateve në Tiranë dhe ndërtimin e kullave në vend të tyre.

Nga dyert e SPAK ku brenda ndodhej ministri Arbjan Mazniku, Këlliçi tha se ai ka firmosur lejet e ndërtimit të pallateve përmes kompanisë 5D, që zotërohej nga disa drejtorë të bashkisë, të arrestuar më herët.

“Kjo Akt-Marrëveshje u firmos me qëllim prishjen e të paktën 13 pallateve në Tiranë, me justifikim e dëmtimit nga tërmeti i vitit 2019. Kjo Akt-Marrëveshje kriminale është firmosur nga vetë Arbjan Mazniku në cilësinë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor. Në një kohë kur qytetarët nxirreshin prej leckash nga banesat e tyre, janë prishur 13 pallate në Tiranë në disa zona. Me firmë të Maznikut, kjo marrëveshje i hap rrugë ndërtimit të pallateve nga kompania 5D  duke lënë në rrugë qytetarët e Tiranës. Mazniku i ka shembur me firmën e tij 13 pallate dhe ka firmosur për ndërtimin e të reja nga 5D. Me sa duket kolegët e Erionit, nuk e shohin pronarin tjetër të 5D, i cili jo vetëm ka firmosur këtë marrëveshje, por e ka shtyrë afatin e saj disa herë, për të favorizuar kompaninë 5D dhe pazaret e tjera për ndërtimet e radhës. Këtë Akt-Marrëveshje autentike po ia u lëmë sot kolegëve të Erionit përpara zyrave të tyre, që të kuptojnë se tentativa e tyre për amnistimin e Erion Hajdut Veliajt dhe Arbjan Nusret Maznikut, do të dështojë me sukses të plotë”, tha Këlliçi.

Këto akuza u bënë në kohën kur ish nënkryetari i bashkisë Tiranë, aktualisht ministër i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku ndodhej në SPAK për çështje që ende nuk bëhen të ditura.

Dosja 5D dhe arrestimi i  ish-zyrtarëve të lartë të Bashkisë së Tiranës

Prokuroria e Posaçme ka vendosur në sekuestror kompaninë “5D Konstruksion” pasi dyshohet se ka përfituar miliona euro përmes tenderave abuzivë të dhënë nga disa ish drejtorë në Bashkinë Tiranë.

Në kuadër të dosjes “5D” nën akuzë janë ish-zyrtarë të lartë të Bashkisë së Tiranës: Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha.

Sipas SPAK, shoqëria “5D Konstruksion” përfitonte tendera përmes punime fiktive, ndërkohë që pas saj qëndronin pikërisht ish drejtorët e arrestuar duke përfituar këto para.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme