Mbledhja e Këshillit Bashkiak, Veliaj: Teatri Kombëtar përfundon në 2025, ndërsa punimet te Piramida mbyllen në pranverë

Këshilli Bashkiak ka zhvilluar mbledhjen e fundit për këtë vit, ku në fokus ka qenë vijimi i projekteve madhore për Tiranën si transformimi i Piramidës, Teatri Kombëtar, por dhe projekteve strategjike si zgjerimi i Unazës së Madhe të Tiranës dhe projektin e shtratit të lumit Lana.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se ndërtimi i Teatrit Kombëtar do të mbyllet brenda vitit 2025, ndërsa kthimi i Piramidës në një qendër teknologjike për të rinjtë do të jetë gati pranverën tjetër.
“Për Teatrin Kombëtar, siç e patë, filluam punën. Po përgatitet terreni përpara se të fillojnë sondat e të bëjnë shpimet për të projektuar themelet. Jam i vendosur që ne të vazhdojmë me projektin e Teatrit Kombëtar dhe në këtë afat 2023-2025 të mbyllim atë projekt. Pjesë e plani strategjik është Piramida e Tiranës, që ne do ta mbyllim Pranverën tjetër. Një fokus te digjitalizimi: Pra jo vetëm start të barabartë për të gjithë, por një start më të mirë se të tjerët. Shkolla jo vetëm më të mira, por shkolla ku mësohet Inteli, ku mësohet inteligjenca artificiale, siç janë 10 gjimnazet ku ka filluar kompania “Intel”, ku kurset e Tumo-s bëhen standard, ku nga 1 mijë fëmijë shkojmë në 5 mijë fëmijë në muaj tek Piramida për kurse të tilla”, tha Veliaj.
Edhe projektet strategjike si zgjerimi i Unazës së Madhe të Tiranës dhe projektin e shtratit të lumit Lana, Veliaj tha se do të vijojnë pasi janë projekte që përveçse i shërbejnë komunitetit rrisin edhe vlerën e pronës.
“Kush përfaqëson njësinë 2 dhe 3 e ka parë se çfarë transformimi i ka sjellë zgjatja e lumit nga Materniteti deri në Shkozë, një tjetër projekt që mori gjysmën e rinisë sonë, 15-20 vjet, me sherre e shamata çdo gjë. Ja ku është sot! Është rritur vlera e pronës, është bërë lidhja me autostradën në Shkozë, del menjëherë në Farkë. Jam i vendosur që të vijojmë me zgjerimin e lumit Lana dhe zgjerimi nënkupton nga Pallati me Shigjeta dhe vazhdon nga Pallati me Shigjeta nëpërmjet Astirit, kryqëzohet me Unazën dhe mbaron në Kashar, aty ku pastaj bashkohet sërish me autostradën Tiranë – Durrës”, tha Veliaj.
Duke përmendur diskutimet e gjata lidhur me projekte të ndryshme, Veliaj tha se shqiptarët janë kampionë që të humbin kohë. Lidhur me akuzat e opozitës për projektet e zhvillimit të Tiranës, Veliaj i cilësoi si histeri të Berishës dhe Metës, që kapen si hiena pas kockave.
“Një debat i cili na mori shumë kohë, një debat që ka filluar që në vitin 1998, 24 vite, ashtu sikurse na mori 17 vjet sheshi “Skënderbej”, filloi në 2000-in, mbaroi në 2017-ën me administratën tonë. Na mori 3 vjet vetëm një segment i Unazës së Madhe te “Astiri”. Na mori 7 vite “Bulevardi i Ri”. Na mori 2 vite “Pazari i Ri”. Na mori 1 vit këndi i lodrave. Po t’i mbledhësh të gjithë këto vite bashkë, beson se hyn te një moshë 100-vjeçare, po t’i mbledhësh si vite jete që ty të kanë kaluar me këto debate. Duhet të pranojmë që ne jemi kampionë në shumë të mira, por jemi kampionë edhe në një humbje spektakolare të kohës. Do vijojmë projektet, pavarësisht se edhe aty do plasë histeria. Jam i sigurt, Iliri dhe Saliu vetëm këtë dinë të bëjnë, të bllokojnë e të gjejnë ndonjë gjë, të kapen si hienat pas kockave”, tha Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




