Mbledhja e Këshillit Kombëtar, Berisha: Basha shkatërroi PD për pazaret e tij! Sot detyrë e demokratëve, të rrezojnë regjimin

Politikë | 4 vite më parë

47 anëtarë të Partisë Demokratike, nga ku do të zgjidhen vetëm 20, janë në garë për t’u zgjedhur anëtarë të Kryesisë së PD-së, ku për të qenë edhe më transparentë, votimin i tyre nga 200 anëtarët e Këshillit Kombëtar do të bëhet në mënyrë elektronike. Para nisjes së votimit, Sali Berisha tha se pavarësisht të gjitha vështirësive PD ia doli të ringrihej, ndërsa sulmoi Lulzim Bashën duke thënë se për faj të pazareve të tij PD kaloi nga disfata në disfatë.

Ngritjen e Komisionit të Rithemelimit, Berisha e cilësoi një proces unik i PD, ndërsa ka akuzuar qeverinë se është e lidhur me bandat kriminale dhe se sot gjërat po i ‘dalin sheshit”.

“Ia dolëm përkundrejt vështirësive të jashtëzakonshme, të jemi sot opozitë e vërtetë, të jemi më të fuqishëm se kurrë në ekzistencën tonë, të jemi më të vendosur se kurrë në misionin tonë. Sa herë të analizosh këtë proces, këtë arritje historike, gjen se merita absolute u takon anëtarëve te PD. Ata në 8 vite, po shkon drejt 9, kishin ruajtur si gjënë më të çmuar misionin e tyre të lirisë. Ata u ngritën sapo u bë thirrja, u ngritën në këmbë për të shpëtuar forcën e tyre politike me idealet udhëheqëse. Ndaj dhe ne kurrë nuk duhet të harrojmë këtë mësim, për dy arsye së pari PD kaloi nga disfata në disfatë, nga humbja në humbje për shkak të udhëheqjes së saj problematike, dështake, për shkak të pazareve të udhëheqjes së saj, dhe jo anëtarëve të saj. T’i shkurtojmë ditët kësaj qeverie. Ata që mendojnë se ky regjim është i fortë gabojnë. Ka para krimi pafund. Ky regjim është kalbësirë. Dumani një serial killer i cili vriste në të katër anët për llogari të bandave të qeverisë. Cili nuk dinte lidhjet direkt me Ramën të bandës së Elbasanit të Durrësit Shkodrës e bandave të tjera. Cili si dinte lidhjet patologjike të Taulant Ballës me Suel Çelën, të gjithë i dinin por tani ato kanë dalë sheshit”, tha Berisha.

Berisha tha se opozita sot vuan nga pazaret për interesa personale dhe protagonizmi. Për Berishën zgjidhja e këtij problemi është që të lihen pas qëndrimet e deritanishme apatike të PD dhe demokratët të nisin betejën e tyre kundër regjimit .

“Si mund të jetë problem udhëheqja e opozitës? Dy janë sëmundjet e saj më kryesore, e para pazaret me qeverinë dhe pazaret për interesa personale. Ato detyrojnë udhëheqjen të shkelmojnë mbi interesat e anëtarëve dhe shembulli më tragjik jemi ne, PD në vitet e shkuara. Ndaj dhe këtë mësim nuk duhet ta harrojmë kurrë, por sot ne kemi një ndryshim të madh. Sëmundja e dytë, e udhëheqjes opozitare, me efekte shkatërrimtare për opozitën është të kënaqurit me protagonizmin se ke një karrige se ke një vend e mandat, një post, dhe të tjerët të shohin, po ti çfarë bën? Opozita profesioniste është opozitë që nuk duhet të ekzistojë. Ndaj për të mos qene opozitë profesioniste ka vetëm një antidodë. Duhet të hedhim tërësisht mbrapa e poshtë qëndrimet e deritanishme apatike të PD. Demokratët janë gati për beteja, presin vetëm udhëheqjen tuaj”, tha Berisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme