Mblidhet Këshilli i Imunitetit për mandatin e Xhaçkës, shtyhet me 2 javë mbledhja për hartimin e raportit përfundimtar

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për mandatin e deputetes dhe ministres Olta Xhaçka ka shtyrë me dy javë afatin e mbledhjes për hartimin e raportit përfundimtar. Kërkesa u artikulua nga Partia Socialiste e cila kërkoi shtyrjen me dy javë të afatit për hartimin e raportit përfundimtar, kërkesë e cila gjeti mirëkuptimin e opozitës.
“Afati për diskutimin e mandatit do të ishte dy javë. Ky është propozimi im. Këtë argument kam përdorur unë. Janë dy kërkesa, dhe themi le të jetë një afat dy javor. Maksimumi të jetë një afat dy javor për shqyrtimin e dy kërkesave”, tha Klotilda Bushka.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj deklaroi se shpreson që mazhoranca të mos gjejë justifikime pas dy javësh, por t’i shkojnë në fund procedurës.
“E keni shtyrë mbledhjen e këshillit me sebepe të paqena. Janë dy kërkesa të ngjashme dhe nuk përbën kompleksitet të ccështjes, është i njëjti subjekt, ju keni pasur kohë të njiheni me materialet. Por megjithatë, e rëndësishme është që kjo procedurë të shkojë deri në fund. Dy javë ama dhe të mos vini pas dy javësh dhe të thoni se ka dhe ca materiale për t’u njohur. Ky do ishte serioziteti i parlamentit”, tha Alibeaj.
1/10 e deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kanë bërë mocion për “Për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhacka”, dhe 15 deputetë të opozitës kanë përpiluar kërkesën e tyre për mocion “Për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhacka”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



