Mbrëmje poetike në Teatrin e Korçës, një udhëtim artistik përmes vargjeve të autores Valbona Lola
Në teatrin “Andon Zako Çajupi” u mbajt mbrëmja poetike “Fajet e Zemrës”, një udhëtim artistik përmes vargjeve të autores Valbona Lola.
Poezitë e përzgjedhura nga vëllimi i saj i fundit, tekste që flasin për jetën, përditshmërinë, dashurinë, prindërit dhe natyrën, morën jetë falë interpretimit të disa prej aktorëve më të dashur të skenës: Luiza Xhuvani, Alfred Trebicka, Zamira Kita, Violeta Banushi dhe Blerta Belliu.
Vetë autorja Valbona Lola u shpreh se kjo mbrëmje ishte “një takim i zemrave”, ku poezia gjen rrugën drejt publikut përmes zërit të aktorëve.
“Sigurisht që mbizotëronin lirikat e dashurisë, pa harruar ato sociale dhe rebelimin tim kur shikoj që diçka nuk shkon ashtu siç duhet. Lirikat e peizazhit dhe disa lirika që i kushtohen Korçës”, tha Lola.
Ndërsa aktori Alfred Trebicka theksoi se poezia e Lolës sjell një sinqeritet të rrallë.
“Është një poezi qytetare, e ngrohtë, e brishtë, që prek ato elemente bazike të shoqërisë apo qenies njerëzore”, tha Trebicka.
Mbrëmja poetike “Fajet e Zemrës” erdhi për publikun korçar si pjesë e kalendarit festiv të fundvitit.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




