Mbyllet votimi në Himarë, procesi i qetë dhe pjesëmarrje më e lartë se në 2023

Politikë | 2 vite më parë

U zhvilluan sot zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës mes kandidatit Vangjel Tavo nga PS dhe Petro Gjikuria nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

23 mijë qytetarë ishin në listat zgjedhore, por më shumë se 6 mijë nuk e ushtruan të drejtën për të votuar, pasi mjetet e tyre të identifikimit kishin skaduar.

Në këto zgjedhje, KQZ-ja aplikoi vetëm identifikimin elektronik të zgjedhësve në 36 qendrat e votimit.

QV-të u hapën në orën 07:00 pa problematika dhe procesi i votimit përfundoi i qetë deri në orën 19:00.

Zgjedhjet në Himarë erdhën pasi KQZ i hoqi mandatin Fredi Belerit, i dënuar përfundimisht me 2 vite burg nga Gjykata e Apelit. KQZ shpalli vakancën për drejtuesin e qytetit bregdetar dhe Presidenca i hapi rrugën zgjedhjeve të reja me dekretimin e 4 gushtit.

Nga përllogaritjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se deri në orën 19:00 votuan 8.678 zgjedhës në 36 qendrat e votimit që ka Himara. Kjo shifër përkthehet në 37.61%, më e lartë sesa në zgjedhjet e 14 majit 2023, kur pjesëmarrja ishte 34.27% me 7.821 votues gjithsej.

KQZ: Përfundoi dorëzimi i materialeve zgjedhore në KZAZ nr. 88

Ka përfunduar dorëzimi i materialeve zgjedhore nga Komisionet e Qendrave të Votimit në KZAZ nr. 88.

Kutitë e votimit, materialeve zgjedhore, pajisjet PEI, kamerat monitoruese të QV për 36 QV u morën në dorëzim nga KZAZ sipas procedurave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe aktet e KQZ-së në fuqi. 

KZAZ nuk konstatoi asnjë kuti të parregullt dhe përmbylli procesin e dorëzimit të materialeve zgjedhore nga KQV.

KQZ: Procesi i numërimit do të fillojë kur të mbërrijë kutia e fundit e votimit

Në orën 19:00 përfundoi orari i votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë. Qendrat e votimit janë mbyllur në të gjithë territorin e bashkisë.

Procesi i votimit në 36 QV ka vijuar i qetë ndërkohë që zgjedhësit janë identifikuar elektronikisht dhe sistemi PEI ka rezultuar krejt i suksesshëm. KQZ e ndoqi në dinamikë ecurinë e procesit, duke ndërhyrë në rastet kur u kërkua asistencë nga ana e Komisionerëve të Qendrave të Votimit.

Nga informacionet paraprake dhe të dhënat e raportuara, nga pjesëmarrja në zgjedhje rezulton 36.9%.

Komisionet e QV po përgatiten për të dorëzuar kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore në KZAZ-në nr. 88, për t’i hapur rrugë procesit të numërimit të votave.

Procesi i numërimit të votave do të fillojë kur të mbërrijë në KZAZ edhe kutia e fundit e votimit nga QV me largët.

Zgjedhjet në Himarë, KQZ: Deri në orën 18:00 kanë votuar 36.2 për qind

Pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 18:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 36.2% , sipas KQZ.

 Himarjotët zgjedhin ditën e sotme (4 Gusht) kryebashkiaku e ri, ku në garë për të fituar mandatin janë kandidati i PS-së, Vangjel Tavo dhe ai i PD-së, Petro Gjikuria.

Zgjedhjet në Himarë, KQZ: Deri në orën 17:00 kanë votuar 34.13 për qind   

Pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 17:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 34.13%.

Sipas KQZ, deri tani në Himarë kanë votuar 34.13 %, 7113 nga 21.075 qytetarë në listën e QV të raportuara për të zgjedhur kryetarin e bashkisë.

Për postin e kreut të bashkisë Himarë garojnë Vangjel Tavo, kandidat i Partisë Socialiste dhe Petro Gjikuria kandidat i opozitës.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi konfirmoi se 6 mijë zgjedhës në Himarë nuk do mund të ushtrojnë të drejtën për të votuar për shkak se karta e tyre e identifikimit ka skaduar.

Zgjedhjet në Himarë, KQZ: Deri në orën 16:00 kanë votuar 31.37 për qind   

Qytetarët e Bashkisë së Himarës që prej orë 07:00 i janë drejtuar qendrave të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të këtij institucioni, i cili do t’i drejtojë për tre vitet e ardhshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet paraprake deri në orën 16:00

Sipas këtyrë të dhënave, pjesëmarrja e numrit të votuesve në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 31.37%.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se identifikimi i zgjedhësve bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit dhe deri tani nuk raportohen problematika.

Në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak të Himarës janë dy kandidatë, Vangjel Tavo nga Partia Socialiste dhe kandidati i koalicionit opozitar, Petro Gjikuria.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas afatit ligjor.

Sipas të dhënave, numri i qytetarëve me të drejtë vote në Himarë është 23.074.

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme