Media amerikane: SHBA, Irani dhe ndërmjetësit rajonalë diskutojnë për një armëpushim 45-ditor

Botë | 7 muaj më parë

Sipas një raportimi të publikuar ngamedia amerikane Axios, Shtetet e Bashkuara, Irani dhe një grup ndërmjetësish rajonalë po shqyrtojnë kushtet për një armëpushim të mundshëm 45-ditor, i cili mund të hapë rrugën drejt përfundimit të përhershëm të konfliktit.

Lajmi është bazuar në burime amerikane, izraelite dhe rajonale me njohuri mbi bisedimet.

Raporti thekson se palët po diskutojnë një marrëveshje me dy faza. Faza e parë parashikon një ndalim të përkohshëm të luftimeve për 45 ditë, gjatë të cilave do të zhvillohen negociata për një zgjidhje përfundimtare të luftës. Nëse bisedimet kërkojnë më shumë kohë, armëpushimi mund të zgjatet.

Megjithatë, agjencia Reuters ka nënvizuar se nuk ka mundur ta verifikojë këtë informacion në mënyrë të pavarur, ndërsa as Shtëpia e Bardhë dhe as Departamenti i Shtetit nuk kanë dhënë komente mbi publikimin.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Donald Trump, në një intervistë telefonike për Wall Street Journal, deklaroi se i ka dhënë Teheranit afat deri të martën në mbrëmje për të hapur Shtretë e Hormuzit.

Ai paralajmëroi se në rast të mosveprimit, do të urdhërojë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Iranit.

Bisedimet për një armëpushim të përkohshëm shihen si një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve dhe mundësisë për një marrëveshje afatgjatë. Megjithatë, pa konfirmim zyrtar dhe me paralajmërimet e forta nga Washingtoni, mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë një konsensus që mund të sjellë stabilitet në rajon.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme