Mediat greke: Beleri ka marrë leje nga burgu për t’u betuar në Strasburg

Politikë | 2 vite më parë

Në hapjen solemne të seancës plenare të Parlamentit Evropian, të martën e ardhshme, normalisht do të jetë i pranishëm Fredi Beleri, kështu e nis shkrimin e përditshmja greke Ekathimerini. 

Gazeta greke thotë se pas presioneve të shumëanshme, të premten autoritetet shqiptare i dhanë Belerit një leje pesë-ditore sikurse ai e kishte kërkuar,  në mënyrë që të shkonte në Strasburg dhe më pas të kthehej në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, e cila përfundon në tetor. 

Beleri do të fluturojë të hënën në mëngjes për në Athinë duke mbërritur aty në orën 12.30 dhe më pas do të niset për në Strasburg. Rasti i aktivistet italiane për të drejtat e njeriut, Ilara Salis , e cila u burgos në Hungari dhe u zgjodh në qershor në vendin e saj si eurodeputete në Parlamentin Europian, duke e detyruar Orbanin ta lironte, ishte një precedent “i freskët” dhe i fortë,  që çoi që kryeministrin Rama të bëj një hap pas në mënyrë që të mos marrë kritika që në hapjen e seancës së parë të parlamentit europian, shkruan Ekathimerini. 

Alfred Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023. Gjithsesi arrestimi nuk e pengoi Belerin që të fitonte Bashkinë e Himarës, me 19 vota diferencë ndaj rivalit të tij të PS Jorgo Goro. Por detyrën e kryebashkiakut Beleri nuk arriti ta ushtronte pasi nuk u lejua nga shkallët e gjyqësorit shqiptar që të betohej para Këshillit Bashkiak, sikundër përcaktohet në ligj.  

Tashmë Beleri ka humbur funksionin si kryebashkiak i zgjedhur për shkak të ligjit të dekriminalizimit dhe në 4 gusht në Bashkinë e Himarës do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme. 

Maxhoranca e kryeministrit Rama ka zgjedhur si kandidat, prefektin e deritanishëm të Vlorës Vangjel Tavo, ndërsa opozita e ish kryeministrit Berisha shqiptaro amerikanin Petro Gjikuria. 

Gazetar Artur Mata

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme