Mekanizëm i ri për investimet e huaja – Më shumë siguri, transparencë dhe rregulla të qarta

Ekonomi | 5 muaj më parë

Vendi ynë do të ketë një mekanizëm të ri për shqyrtimin e investimeve të huaja në sektorët strategjikë, një instrument që sipas ministres së Ekonomisë synon të forcojë sigurinë ekonomike të vendit, duke ruajtur njëkohësisht një klimë të hapur për biznesin. 

Kjo nismë u prezantua nga ministrja Delina Ibrahimaj, gjatë aktivitetit të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri. 

“Jemi në një kontekst i cili është pak i turbulluar në drejtim të investimeve në këto sektorë. Analiza tregon se instrumente të tillë si ky që do të prezantohet sot jo vetëm garantojnë që investitorët të duan të investojnë në Shqipëri, por edhe sigurojnë që investitorë të cilësisë së lartë të gjejnë një ambient të besueshëm.” – tha Ibrahimaj. 

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, Nancy VanHorn, e cilësoi kuadrin shqiptar për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte si një zhvillim të rëndësishëm, i cili tregon se Shqipëria është e hapur për investime. Por ajo shtoi se nevojiten kushte dhe rregulla të barabarta në funksion të konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjes së sektorëve me rëndësi strategjike. 

“Investitorët, përfshirë ata amerikanë, po e ndjekin me vëmendje këtë proces dhe kompanitë amerikane janë të pranishme në sektorin e energjisë, ndërtimit dhe teknologjisë, ndërsa të tjera po shqyrtojnë mundësinë për të investuar në Shqipëri. Investitorët kërkojnë rregulla të qarta, kushte të barabarta konkurrimi dhe mbrojtje të sektorëve strategjikë. Miratimi i kuadrit ligjor është vetëm fillimi dhe zbatimi i tij do të jetë vendimtar për suksesin e mekanizmit.” – tha Nancy VanHorn, E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme