Merr jetë paketa e investimeve të BE në Ballkanin Perëndimor

Një paketë e konsiderueshme investimesh për Ballkanin Perëndimor e shpallur në Tetor të vitit të kaluar po merr gjithnjë e më shumë formë në hallkat e saj të zbatimit. Komisioneri i Zgjerimit Oliver Varhely në një intervistë për revistën periodike të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës, tha se paketa prej 28 miliardë eurosh, grante, garanci dhe hua preferenciale, në transport, energji, digjitalizim dhe tranzicion i gjelbër po ecën sipas planifikimit për të krijuar rritje të qëndrueshme dhe vende pune.
“Ne po flasim për investime që arrijnë në një të tretën e Prodhimit të brendshëm bruto të të gjithë rajonit, të cilat do të bëjnë ndryshime të rëndësishme në terren në pak vite. Kjo paketë investimesh është edhe më e rëndësishme për të mbështetur rimëkëmbjen e Ballkanit Perëndimor dhe tregon se si duam të ndihmojmë në kapërcimin e hendekut socio-ekonomik midis rajonit dhe BE -së më shpejt, duke investuar në infrastrukturën dixhitale, energji, teknologji të gjelbra dhe dixhitale, inovacion, duke siguruar mbështetje shtesë për sektorin privat, integrim ekonomik rajonal dhe investim në njerëz, duke e bërë ekonominë më shumë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme” tha Varhely.
Ndërsa tregon se plani ishte pjesë e projektit të tij si komisioner bashkë me rishikimin e metodologjisë së zgjerimit dhe nisjen e negociatave me Shqipërinmë dhe Maqedoninë e Veriut, Komisioneri Varhely spjegon lidhjen e këtij plani me Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e miratuar në Samitin e Sofjes si udhërrëfyes drejt qëllimit të neutralitetit klimatik deri në vitin 2050.
“Paketa është një plan për mënyrën sesi ne duam të angazhohemi me rajonin gjatë viteve të ardhshme. Shumica e projekteve tona janë investime ambicioze afatgjata, kështu që është e parakohshme të presim rezultate konkrete disa muaj pas fillimit të Planit, por ne jemi të avancuar mirë në të gjitha frontet. Këtë vit ne jemi duke përgatitur terrenin për shumicën e projekteve të mëdha investuese. Instrumenti kryesor financiar i BE-së që do të përdorim për zbatimin e Planit, Instrumenti për Ndihmën e Para-aderimit III, u ra dakord në qershor dhe ne po përparojmë edhe me programimin e projekteve. Ne gjithashtu kemi lançuar platformën Rajonet në Tranzicion për Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainën për të ndihmuar në koordinimin dhe shkëmbimin e ekspertizës mbi procesin e vështirë të tranzicionit të gjelbër” thotë komisioneri Varhely.
Ndërsa bëhet e ditur se deri në 9 miliardë euro nga paketa do të jenë financime për rajonin, Komisioneri i zgjerimit konsideron se brenda saj një pjesë duhet të shkojë për kapitalin njerëzor dhe investimet e sektorit social.
“Investimi në zhvillimin e kapitalit njerëzor është një nga fushat prioritare dhe Garancia për të Rinjtë është një nga dhjetë nismat kryesore të Planit. Garancia për të Rinjtë është një skemë ambicioze aktivizimi për të siguruar një kalim të qetë për të rinjtë nga shkolla në punë: do t’u garantojë të shkolluarve një ofertë për punësim, arsimim ose trajnim të mëtejshëm brenda një afati të caktuar kohor – kjo duhet të ndihmojë në parandalimin e rrjedhjes së mëtejshme të trurit në Ballkanin Perëndimor. Një fushë tjetër e rëndësishme e shfaqur nga lidhjet e pamjaftueshme midis sistemeve arsimore dhe nevojave të tregjeve të punës konsiderohet me rëndësi për ndërhyrje” thotë Komisioneri i Zgjerimit Oliver Varhely në një intervistë për revistën periodike të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




