Meta kërkon dorëheqjen e Ramës: Përgjegjësi kryesor dhe shkaktari i vetëm i shpërbërjes së shtetit

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një deklaratë për media ka ngritur alarmin për largimin e shqiptarëve nga vendi dhe udhëtimet me charter të Kryeministrit Edi Rama.

Meta deklaron se situata në Shqipëri është e rënduar për shkak të mosekzistencës së shtetit dhe pasigurisë totale të krijuar nga Kryeministri Rama.

“Situata në vend vjen duke u rënduar për shkak të mos ekzistencës së shtetit dhe njëkohësisht të pasigurisë totale të krijuar nga papërgjegjshmëria ekstreme e Edi Ramës i cili qeveris në charterin super luksoz ndërkohë që shqiptarët e ndershëm, të pasigurt, të pambrojtur, të përjashtuar nga çdo mundësi dhe mbështetje sociale e ekonomike marrin gomone dhe rrezikojnë jetën për të ikur në Europë dhe Britaninë e Madhe. Është e papranueshme që vendi ynë për çdo 1 mijë banorë të lërë pas vendet që janë në luftë e në konflikt për një kohë të gjatë, siç është rasti i Gjeorgjisë, Siria, Afganistani, Venezuelës e Moldavisë.

Kohë më parë dhe në mënyrë sistematike dhe në cilësinë e Presidentit kam kërkuar marrjen e masave për të forcuar sigurinë kibernetike por në vend të kësaj janë shpenzuar qindra milionë euro për AKSHI-në dhe siguria është zero. Qindra milionë eurot janë vjedhur”, tha Meta.

Ky i fundit renditi disa prej atyre që i cilësoi si skandalet e qeverisë, duke nisur nga vjedhjet e miliarda eurove me energjinë elektrike, portin e Durrësit dhe konensionet.

Meta ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit pasi sipas tij është përgjegjësi kryesor dhe shkaktari i vetëm i shpërbërjes së shtetit dhe degradimit total të qeverisjes.

“Skandalet janë njëri shumë më i rëndë se tjetri, duke filluar me qindra milionë eurot me inceneratorët që nuk ekzistojnë.  Me miliardat eurot e vjedhura me energjinë elektrike dhe me portin e Durrësit, qindra milionë euro me koncensionet dhe PPP-të me dhjetëfishin e çmimit. E gjitha këto vjedhje kanë vetëm një përgjegjës dhe është Rama. Ndaj Edi Rama duhet të japë dorëheqje sepse është përgjegjësi kryesor dhe shkaktari i vetëm i shpërbërjes së shtetit dhe degradimit total të qeverisjes në një bandë hajdutësh”, tha Meta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme