Meta rikthehet në parti: S’jam këtu për drejtimin e saj, por për integrimin! Basha futi në grackë LSI me djegien e mandateve

Ish presidenti Ilir Meta një ditë pasi la Presidencën ka shkuar në selinë e LSI dhe ka rimarrë kartën e anëtarësimit në parti që e la 5 vite më parë. Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI, Meta tha se nuk ka ardhur këtu për të marrë drejtimin e LSI, por për të sjellë zërin e popullit të 2 marsit dhe rivendosur referendumin mbi politikanët e papërgjegjshëm.
“Nuk jam për të marrë drejtimin e LSI pasi këtë unë e lash me vullnet të lirë. Unë jam këtu për të sjellë mesazhin e popullit të 2 marsit. Ka ardhur momenti i transformimit të sistemit në vend dhe populli i 2 marsit të nis rrugën e tij dhe të triumfojë referendumi i si e vetmja rrugë që të vendosë nën kontroll këtë klasë politike të papërgjegjshme. Partia e referendumit na pret përpara, është partia e popullit të 2 marsit, kjo zgjidh çdo problem në Shqipëri, që nga oligarkët, referendumi do jetë shpata e Demokleut, mbi të gjithë politikanët dhe ata që abuzojnë me popullin dhe ata që kanë vonuar integrimin. Referendumi do e shpejtojë integrimin’ tha Meta.
Meta akuzon kryetarin e PD-së, Lulzim Basha si të korruptuar, ku sipas tij në bashkëpunim me Ramën orkestruan djegin e mandateve duke futur në gracë LSI-në.
“Përshpejtimi i integrimit nuk ishte vullneti jo vetëm i lidiershipit të PS, por për fat të keq, i ish lidershipit të korruptuar e të kapur prej kohësh të PD, që programuan në mënyrë të qëllimtë djegien e mandateve, shkatërrimin e reformës në drejtësi. S’mund ta bënin pa futur në grackë edhe LSI, e cila për fat të keq doli jashtë funksionit të saj duke u bërë një shtojcë e pavetëdijshme e një shtojce të vetëdijshme, që ishte PD e Lulzim Bashës, që e kishte të mirëprogramuar gjithçka me Edi Ramën”, tha Meta.
Teksa theksoi se është rikthyer për të shpëtuar integrimin që është dhe qëllimi kryesor i krijimit të vetë Lëvizjes Socialiste për Integrim, Meta tha se kryeministri Rama se po e pengon këtë proces dhe këtë, sipas tij, e tregoi dhe njëherë me largimin e Zef Mazit si kryenegociator.
‘Na i hapën tani dhe shkarkuan kryenegociatorin pa nisur akoma negociatat. Duke treguar se e urrejnë zgjedhjet, urrejnë meritokracinë, pluralizmin politik, median e lirë dhe të pavarur.”, tha ai.
I pyetur nëse do të bashkëpunojë me Sali Berishën, Meta tha se do bashkëpunonte me çdo demokrat të ndershëm.
‘Do bashkëpunojmë me çdo shqiptar të ndershëm patriot dhe demokrat të ndershëm, pas asnjë diskutim. Nuk jam në garë as me Berishën dhe skam qenë në garë as me Lulushin. Shqipërinë e ndryshon vetëm referendumi, është primare e primareve. Referendumi tani është vetë Shqipëria, pasi është vënë në pyetje rezistenca e të ardhmes së vendit”, tha Meta.
Ish presidenti foli edhe për pjesëmarrjen e tij në Konventën Kombëtare të LSI-së, ku tha se do të jap llogari për 5 vitet e tij në Presidencë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




