Meta: Rilindja po i zhyt thellë dhe më thellë shqiptarët në pasiguri dhe varfëri

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke i’u referuar Agjencisë Evropiane të Statistikave, nëpërmjet një postimi në FB shprehet se 43 përqind e shqiptarëve, janë të rrezikuar seriozisht nga varfëria.
Sipas Metës, ndërsa rreth gjysma e popullsisë jeton në këto kushte, kryeministri paguan çdo ditë 80.000 euro pronarët në arrati të inceneratorëve fiktivë.
“Shqipëria, sipas Agjencisë Europiane të Statistikave, kryeson në kontinent me 43% të popullsisë së saj të rrezikuar seriozisht nga varfëria dhe përjashtimi social. Situata është edhe më e rëndë nëse i referohemi faktit se aktualisht 67% e shqiptarëve jetojnë sot me të ardhura nën dhe deri në 5.5 dollarë në ditë. Laku i varfërisë shtrëngohet çdo ditë dhe më shumë nga rritja abuzive dhe e pandalshme e çmimeve, si dhe nga mungesa e paketave sociale efektive të ndihmës për çdo kategori në nevojë. Rilindja po i zhyt thellë dhe më thellë shqiptarët në pasiguri dhe varfëri, sepse qëllimi i saj është vetëm vjedhja papushim e taksave të tyre për veten, klientët dhe oligarkët e saj. Ndërkohë që sipas Eurostat, 43% e popullsisë rrezikohet nga varfëria, Edi Rama paguan çdo ditë 80.000 euro pronarët në arrati të inceneratorëve fiktivë, “kryeveprën” e aferës së tij korruptive.”- shkruan Meta.
Sipas tij, shantazhet absurde të Ramës për fëmijët dhe prindërit, që të mos bëjnë shënime në librat e shkollës se do të kenë sanksione apo thirrjet për kursim të energjisë, duke “shpikur” shembuj nga Zvicra se si qytetarët futen në burg për ngrohjen me kondicioner, tregojnë degradimin e pashpresë të regjimit më të korruptuar në kontinent që shton shpenzimet e luksit dhe aferat korruptive në këto kohë krizash.
“Shporrja e kësaj bande të korruptuar dhe të inkriminuar është e vetmja rrugë për t’u ndarë pergjithmonë me korrupsionin galopant, varfërinë në rritje dhe përjashtimin social të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.”- shkruan Meta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



