Meta: Shqipëria me çmimin më të lartë të naftës në rajon, qeveria vjedh me taksat e larta

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimit të naftës, ku thotë se shqiptarët paguajnë më shtrenjtë se kushdo në rajon. Në një postim në Facebook, Meta akuzon qeverinë se po vjedh shqiptarët me taksat e larta, teksa shton se ajo që qeveria duhej të bënte ishte të lehtësonte barrën fiskale.
“Qytetarët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se kushdo tjetër në rajon për çmimin e naftës. Nafta në Shqipëri shitet më shtrenjtë, sepse Qeveria vjedh dhe grabit me taksat e larta, duke rënduar dhe varfëruar buxhetet familjare. Në vend që të lehtësonte barrën fiskale, ashtu siç bënë vendet e rajonit dhe të Europës, Qeveria krijoi Bordin, vendimet e të cilit nuk bëjnë gjë tjetër veçse e klasifikojnë Shqipërinë ndër vendet e para në botë për çmimin më të shtrenjtë të naftës. Heqja e taksave në çmimin e naftës në këtë situatë krize globale është një shqetësim real i qytetarëve, për të cilin Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për heqjen e taksës së karbonit dhe qarkullimit që do të lehtësonte ndjeshëm çmimin e naftës”, shkruan Meta.
Bordi i Transparencës vendosi të premten rritjen e çmimit të naftës me 22 lekë për litër, duke e çuar në 245 lekë për litër nga 223 lekë për litër që ishte. Ndërsa benzina u rrit me 6 lekë për litër, nga 198 lekë, shkoi në 204 lekë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




