Meta takon Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë Zbigniew Rau: Forcim të marrëdhënieve dypalëshe

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, njëkohësisht Kryetar i Radhës i OSBE-së, Zbigniew Rau, i shoqëruar edhe nga Ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, Monika Zuchniak-Pazdan dhe Kryetari i Pranisë së OSBE-së, Ambasadori Vincenzo del Monaco.
Presidenti Meta dhe Ministri Rau shkëmbyen mendime rreth bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në kuadër të OSBE-së, rreth çështjeve më të ndjeshme në agjendën e Organizatës, me fokus situatën e sigurisë në Europë pas agresionit të pajustifikuar dhe të paprovokuar rus ndaj Ukrainës.
Presidenti i Shqipërisë dhe Ministri i Jashtëm i Polonisë konfirmuan qëndrimin e vendeve respektive në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe se agresioni rus duhet të ndalojë menjëherë dhe Rusia duhet të tërheqë trupat e saj nga Ukraina.
Presidenti Meta u shpreh se mbështet plotësisht prioritetet polake në krye të Organizatës dhe se beson se OSBE është një faktor kyç për paqen dhe sigurinë në kontinentin tonë dhe një platformë e shkëlqyer për të diskutuar çështjet që lidhen me sigurinë gjithëpërfshirëse.
Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri në zhvillimet demokratike në vend dhe inkurajoi mbështetjen e saj për realizimin e reformave të kërkuara në rrugëtimin e vendit drejt BE-së.
Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu mbështetjen që Polonia ka dhënë për proceset integruese të Shqipërisë dhe të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euro-atlantike dhe theksoi domosdoshmërinë e çeljes sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në, si dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Presidenti i Shqipërisë dhe Ministri i Jashtëm i Polonisë vlerësuan si të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe dhe u angazhuan në forcimin e mëtejshëm të tyre, në fusha të tilla si infrastruktura, transporti, turizmi, bujqësia dhe energjia.
Mjaft inkurajuese u vlerësua nga të dy palët rritja e numrit të turistëve polakë në Shqipëri dhe vendosja e linjave direkte të transportit ajror ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




